Oresti Berberi, aktivist i njohur i Partisë Demokratike dhe nënkryetar i Forumit Rinor, ka bërë një deklaratë publike të fortë, duke paralajmëruar për gjendjen kritike të strukturave rinore të PD-së dhe nevojën për riorganizim, meritokraci dhe përfshirje reale të të rinjve.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Berberi nënvizon se është e vështirë të frymëzosh dhe mbash të rinjtë të angazhuar, veçanërisht në një periudhë ku shumë degë jashtë Tiranës janë të dobëta ose pothuajse joaktive. Ai thekson se, ndërsa Forumi Rinor funksionon në mënyrë aktive në Tiranë dhe disa degë të tjera të kryeqytetit, degët në Durrës, Korçë, Vlorë dhe mbi 20 degë të tjera ose kanë vetëm 3-4 anëtarë, ose nuk ekzistojnë fare. Madje, sipas Berberit, as kryetarët e këtyre degëve nuk kanë vizituar ndonjëherë selitë përveç fushatave zgjedhore.
“E di që është e vështirë të frymëzosh të rinjtë sot! E di që është e vështirë të mbash të rinjtë të angazhuar! E di që është e vështirë të anetaresosh të rinj brenda Partisë Demokratike! Por tanimë Forumi Rinor egziston vetëm në Tiranë dhe disa degë të tjera. Brenda këtij qyteti, kryetarët janë të angazhuar seriozisht dhe po ka aktivitet,” – shkruan Berberi.
Ai e lidh këtë gjendje me përçarjet brenda Partisë Demokratike gjatë viteve 2021-2024, që sipas tij kanë çorientuar Forumit Rinor dhe kanë penguar stabilitetin e strukturave rinore. Berberi kujton se Forumi Rinor ka prodhuar politikanë, deputetë, ministra, sekretarë të përgjithshëm dhe ka qenë një shkollë për brezat e rinj të angazhuar politikisht.
“Koha e gjatë në opozitë ka treguar gjithashtu se shumë të rinj nuk janë tërhequr kurrë. Ata kanë qenë në ballë të protestave dhe kanë kontribuar në mënyra që shumë të tjerë nuk i kanë bërë. Forumi Rinor është histori, traditë dhe forca më e madhe e Partisë Demokratike, dhe si i tillë nuk mund të lejohet të qëndrojë në gjendjen ku është sot,” – thekson Berberi.
Në thirrjen e tij publike, Berberi u drejtohet të gjithë anëtarëve të Forumit Rinor, duke kërkuar angazhim dhe përgjegjësi reale për të rikthyer strukturat rinore në një nivel funksional dhe të respektuar. Ai thekson pesë pika kyçe që kërkojnë veprim të menjëhershëm:
Mbajtja e përgjegjësive nga strukturat ekzistuese.
Dorëheqjen e atyre që mbajnë postet për nepotizëm dhe interesa personale.
Riorganizim dhe rivitalizim të strukturave, duke rikthyer funksionalitetin dhe aktivitetin real.
Meritokraci dhe ndershmëri, duke vlerësuar kontributet e të rinjve dhe jo miqësitë ose lidhjet e brendshme.
Vlerësimin e të rinjve me përgjegjësi reale brenda Partisë Demokratike, duke i dhënë mundësinë të kontribuojnë në vendimmarrje dhe aktivitetin politik të partisë.
Berberi thekson se ky proces është i nevojshëm për të rikthyer Forumin Rinor në piedestalin që i takon si organizata më e rëndësishme rinore në Shqipëri, duke e konsideruar atë si një institucion që formon brezat e rinj të politikës dhe mban gjallë frymën demokratike në radhët e partisë.
“Ta rikthejmë Forumin Rinor në piedestalin që i takon si organizata më e rëndësishme rinore në Shqipëri. Me dashamirësi, respekt dhe përulje për punën, sakrificën dhe mundin tuaj, ju ftoj të gjithë anëtarët të angazhohemi për të mbajtur përgjegjësitë, për të riorganizuar strukturat dhe për të vlerësuar ata që japin kontribut real,” – përfundon Berberi.



