Ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i ekstraduar nga Spanja dy ditë më parë, ka dalë sot përballë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për caktimin e masës së sigurisë.
Gjatë seancës, Berisha kundërshtoi fuqishëm akuzat e bazuara në dëshminë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Luftar Reçi, duke pretenduar se ai nuk ka pasur kurrë kontakte me të.
Berisha në sallën e gjyqit:
“Nuk e njoh fare atë njeri, nuk e kam takuar asnjëherë. Nëse më provoni një kontakt, më dënoni sa të doni. Njëlloj siç më ra akuza tjetër, njëlloj do të bjerë edhe kjo.”
Lulzim Berisha u arrestua në Spanjë pas një urdhër-arresti ndërkombëtar dhe u ekstradua në Shqipëri. Ai akuzohet për përfshirje në krime të rënda, përfshirë vrasje dhe veprimtari kriminale si pjesë e bandës së Durrësit, një nga organizatat më famëkeqe kriminale në Shqipëri.
Njoftimi:
Kërkuesi Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
me datë 19.03.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “. Marrje në pyetje
të personit të arrestuar dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, për të
arrestuarin Lulzim Berisha, në lidhje me procedimin penal nr. 252, të vitit 2020; 2.
Vazhdimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” të parashikuar nga neni 238 i
K.Pr.Penale, të caktuar me vendimin Nr. 115, datë 02.12.2020 të Gjykatës së Posaçme të
Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të arrestuarit Lulzim
Berisha”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Irena Gjoka, me vendimin
Nr. 35, datë 20.03.2025 vendosi:
Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues
“arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin
Nr.115, datë 02.12.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj të pandehurit Lulzim BERISHA, i
biri i A. dhe i R., i datëlindjes ****, lindur dhe banues në ****, me shtetësi ****,
me arsim ****, me gjendje gjyqësore ****, me gjendje civile ****, me ****, I
DYSHUAR: Për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” në dëm të
shtetasit K.S, “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit O.T,
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”,
kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e
veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të
parashikuara përkatësisht nga nenet 78/2, 76/22, 278/1, 28/4 dhe 334/1/2 të Kodit
Penal.
Për ekzekutimin e ketij vendimi, ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër
Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, prokurorët E.K dhe A.Sh.
Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit nga palët, brenda pesë ditëve, në
Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke
filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të këtij vendimi