Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka liruar nga ”arresti shtëpiak” kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha është marrë i pandehur për veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë nga Prokuria e Posaçme, një akuzë që mbart dënim nga 4 deri në 12 vjet burg.

Rreth një vit më parë për Berishën u dha vendimin “arrest shtëpie”.
Berisha edhe në Kushtetuese
Gjykata Kushtetuese njoftoi të martën më 26 nëntor kalimin për shqyrtimin në seancë plenare një muaj më vonë mbi bazë të dokumenteve, kërkesën e paraqitur nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimeve për caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” të vendosur ndaj tij nga Gjykata e Posaçme e të dy shkallëve dhe Gjykata e Lartë.
Sipas Gjykatës Kushtetuese, shqyrtimi do të bëhet pa praninë e palëve më 27 dhjetor në orën 10:00, ndërkohë që do të thirren si subjekt të interesuar në këtë proces Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Data e zhvillimit të seancës është përcaktuar bazuar në vendimarrjen për pranimin e kërkesës së Berishës për përshpejtimin e gjykimit, si dhe reduktimin e afateve të palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe qëndrimeve të tyre.
Berisha ndodhet në hetim prej tetorit të vitit të kaluar për akuzën e korrupsionit pasiv, kohë kur u vendos masa e sigurimit “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte”. Masa e tij u rëndua në “arrest shtëpie” pasi ish-kryeministri Berisha refuzoi të zbatonte vendimin e gjykatës.
Me një vendim të datës 21 nëntor, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendime të tjera të ngritura nga Berisha, se SPAK kishte shkelur Kushtetutën me masat e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Gjykata interpretoi se këto masa të sigurimit personal nuk pengojnë punën e deputetit dhe mund të vendosen pa autorizim nga Kuvendi. Sipas gjykatës, mbrojtja nga imuniteti nuk shtrihej mbi këto dy masa të parashikuara.
Kushtetuesja po ashtu rrëzoi pretendimet e ngritura nga Berisha për anësinë e Gjykatës së Posaçme në vendimet e masës së sigurisë. Megjithatë, u pranua pretendimi se bllokimi i pasaportës ishte joproporcional dhe se në rastin e Berishës, masa “detyrim paraqitje” ishte e mjaftueshme.