Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar sot pas konfirmimit nga Prokuroria e Përgjithshme se gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka, rezulton e dënuar në shtetin grek dhe nuk ka deklaruar këtë fakt në formularët zyrtarë të vetëdeklarimit.
Përmes një shkrese zyrtare drejtuar SPAK, opozita kërkon nisjen e menjëhershme të hetimeve, duke paralajmëruar se vonesat mund të kenë pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë, interesin publik dhe interesat financiare të shtetit.
Në dokumentet zyrtare të publikuara nga media, rezulton se Gjoka ka qenë e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh dhe ka marrë urdhër dëbimi për hyrje të paligjshme në territorin grek. Megjithëse këto fakte janë bërë publike, Gjoka nuk i ka deklaruar ato pranë autoriteteve shqiptare, duke shmangur përfundimin e mandatit të saj si gjyqtare.
Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të PD, deklaroi se “gjyqtarja Irena Gjoka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit” dhe akuzoi Prokurorinë e Posaçme për zvarritje të hetimit dhe devijim nga parimi i barazisë para ligjit.
Opozita thekson se mosveprimi për këtë rast cenon parimin e “gjykatës së caktuar me ligj”, integritetin e sistemit gjyqësor dhe besimin e publikut tek drejtësia, duke krijuar pasiguri mbi vendimmarrjet e gjyqtarëve.
Në përfundim, PD kërkon nga SPAK të veprojë pa vonesa, me paanësi dhe në përputhje me ligjin, duke përfunduar hetimin ndaj Gjokës brenda një afati të arsyeshëm, për të shmangur pasoja të mëtejshme për sistemin gjyqësor dhe interesat e shtetit shqiptar.



