Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtor Gazmir Preçin për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar në nenin 259, paragrafi 2 i Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit të shkurtuar, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Etleva Deda, Irena Gjoka dhe Flojera Davidhi, e dënoi Preçin me 3 vite e 6 muaj burgim, që u ul në 2 vite e 4 muaj për shkak të aplikimit të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale për ulje me 1/3.
Gjykata gjithashtu vendosi:
Heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.
Dënimi do të llogaritet duke filluar nga data 15 gusht 2024, dita e arrestimit të tij në flagrancë.
Dënimi do të vuhet në një institucion për të dënuarit e rritur me siguri të zakonshme.
Gjykata ka urdhëruar kthimin e dy aparateve telefonikë të të pandehurit dhe ka mbajtur si prova materiale disa DVD dhe CD me pamjet filmike dhe audio të hetimeve.
Shpenzimet proceduriale prej 2207.11 lekë ngarkohen ndaj të pandehurit.
Në vendim parashikohet mundësia e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda afatit ligjor.