Gjykata e Posaçme kalon për gjykim dosjen “Sterilizimi”.
Të pandehurit ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish zv. ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.
Kurse gjashtë të tjerët për akuzat falsifikim dhe shpërdorim detyre.
Gazetarja Anila Hoxha raporton se Beqaj ka thënë se procesi ndaj tij është politik.
“Më janë shkelur të drejtat, akuzat e mia i ka bërë PD, keni dëmtuar në mënyrë të qëllimshme procesin, nuk ka një akuzë të shkruar për atë që akuzohem, ndikimi juaj është politik, vendimet tuaja i duartroket Sali Berisha, ju dhe prokuroria nuk keni dashur të zbuloni të vërtetën, unë nuk kam mundësi të mbrohem, por vetëm të denoncoj”, ka deklaruar ish ministri i Shëndetësisë.
Edhe ish numri dy i shëndetësisë Klodjan Rrjepaj, ka pretenduar se ndaj tyre nuk po bëhet një procesi rregullt ligjor.
“Kemi bërë një vepër të dobishme, pretendimet tona nuk i dëgjon njeri, nuk ka një proces të rregullt ligjor, Kam kërkuar 600 fashikujt në mënyrë elektronike dhe nuk i kam marrë, nuk i njoh provat, Drejtoria e Burgjeve refuzon, Gjykata hesht në këtë refuzim“, ka deklaruar Rrjepaj.
Ilir Beqaj hoqi dorë nga kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe kërkon pushimin. Kurse Klodjan Rrjepaj kërkoi pushim të gjykimit të shkurtuar dhe pushim të çështjes.
Nga ana tjetër Ilir Rrapaj kërkoi pushim të gjykimit të shkurtuar. Ai kërkoi gjithashtu ekspertizë të re dhe plotësim hetimesh. Gjashtë të akuzuarit kërkuan pushim dhe veçim çështjeje.