Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, i cili ndodhet ende në detyrë, ka marrë vizitën e një delegacioni të Avokatit të Popullit në ambientet e IEVP-së në Durrës.
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, së bashku me dy komisionerët Ahmet Prenci dhe Besnik Dedja, vizituan Veliajn për t’u njohur me kushtet e mbajtjes së tij në qeli dhe për trajtimin e tij në spital, ku është shoqëruar me 30 forca policie dhe prezencën e forcave të sigurisë brenda sallës së ndërhyrjes.
Vizita erdhi pas shqetësimeve mbi kushtet e rënda të paraburgimit, si dhe kufizimin ekstrem të vizitave dhe kontakteve me avokatët dhe familjen. Komisionerët vlerësuan mënyrën e trajtimit dhe shprehën interes për respektimin e të drejtave të Veliajt gjatë qëndrimit në burg.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Veliajt për të vazhduar detyrën, duke konsideruar të parregullt shkarkimin e tij nga Këshilli Bashkiak dhe Këshilli i Ministrave, një vendim që konfirmoi vazhdimësinë e mandatit të tij dhe rrëzoi pretendimet për largimin e tij nga kryebashkiaku i Tiranës.



