back to top
32.5 C
Tirana
E premte, 20 Qershor, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaGjykatat e Larta të Evropës Lindore mblidhen në Vlorë: Drejtësi përtej kufijve

Gjykatat e Larta të Evropës Lindore mblidhen në Vlorë: Drejtësi përtej kufijve

Qyteti i Vlorës është bërë qendra e diskutimeve ndërgjyqësore evropiane, me zhvillimin e Konferencës së XV të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ngjarja u organizua nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë në bashkëpunim me CEELI Institute, duke mbledhur mbi 20 kryetarë dhe gjyqtarë të lartë nga vende të ndryshme të rajonit.

Konferenca u hap me një fjalim të Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi, i cili theksoi rëndësinë e dialogut ndërgjyqësor në një kohë kur sistemet e drejtësisë përballen me sfida të përbashkëta si dezinformimi, ndërhyrjet politike dhe ndikimi i teknologjisë. Ai theksoi se Vlora, qyteti ku në vitin 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë, u përzgjodh si vend simbolik për të rikujtuar rëndësinë e një drejtësie të pavarur.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, si dhe përfaqësues të CEELI Institute. Në qendër të diskutimeve ishin çështje si forcimi i shtetit të së drejtës, unifikimi i jurisprudencës dhe sfidat e gjykatave në një realitet gjithnjë e më kompleks.

Sadushi vuri në dukje se drejtësia që rajonet post-komuniste synojnë është një drejtësi “pa kompromis”, ku integriteti dhe pavarësia e gjyqësorit janë themel për demokracinë. Ai bëri thirrje për ndarjen e praktikave më të mira dhe krijimin e mekanizmave të përbashkët për të garantuar drejtësi efektive dhe të besueshme.

Në përmbyllje, u theksua angazhimi i Shqipërisë për të qenë jo vetëm mikpritëse, por edhe kontribuuese aktive në thellimin e bashkëpunimit gjyqësor rajonal, me qëllim ndërtimin e një drejtësie moderne dhe të orientuar drejt qytetarit.

Fjala hyrëse e Kryetarit të Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë:

I nderuar z. President i Republikës,

I nderuar z. Ministër i Drejtësisë,

Të nderuar përfaqësues të CEELI Institute,

Të nderuar kryetarë dhe gjyqtarë të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore dhe Lindore,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është një nder i veçantë që, pas 13 vjetësh, të presim sërish këtë Konferencë të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Evropës Qendrore e Lindore.

Si Kryetar i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, ndjej një përgjegjësi të madhe dhe një privilegj të veçantë për t’ju përshëndetur në emër të kolegëve të mi gjyqtarë, duke iu bashkuar falenderimit për CEELI Institute dhe për të gjithë Ju që na besuat organizimin e Konferencës së XV të Kryetarëve të Gjykatave të Larta të Europës Qëndrore dhe Lindore, me synimin e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit për një drejtësi më të pavarur, transparente dhe të unifikuar në rajonin tonë.

Jo pa qëllim, vendosëm ta zhvillonim këtë konferencë, pikërisht në Vlorë. Përveç bukurive që natyra i ka dhuruar, Vlora është qyteti ku, në vitin 1912, u shpall pavarësia e Shqipërisë nga pushtimi mbi 500-vjeçar i Perandorisë Osmane. Këtu u hodhën themelet e shtetit modern shqiptar. Prandaj Vlora bart një simbolikë të veçantë për drejtësinë që synojmë të ndërtojmë: një drejtësi të pavarur dhe bashkëkohore. Ky vend na kujton se pavarësia nuk është vetëm çlirim territorial, por mbi të gjitha çlirim i mendjes dhe i institucioneve nga çdo influencë që synon të cenojë parimet e drejtësisë.

Ne krenohemi që mblidhemi sot si përfaqësues të Gjykatave të Larta të vendeve që dolën nga errësira e regjimeve komuniste. Ne kemi qenë dëshmitarë të kalimit nga shteti i diktaturës tek shteti i së drejtës, dhe e dimë mirë çfarë çmimi është paguar për këtë. Prandaj, jemi këtu për të thënë qartë: drejtësia që duam është një drejtësi pa kompromis.

Kjo konferencë zhvillohet në një kohë kur gjyqësori, kudo, përballet me sfida që nuk njohin kufij kombëtarë: nga ndikimi i teknologjisë e globalizimit të çështjeve juridike, deri te rreziqet e dezinformimit dhe ndërhyrjet në gjyqësor. Çdo konflikt, pavarësisht qëllimit, përfundon në dyert e gjykatave. Për këtë arsye, rëndësia e dialogut ndërgjyqësor bëhet edhe më e madhe. Vetëm përmes komunikimit të hapur, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe ndarjes së përvojave konkrete mund të identifikojmë problemet e përbashkëta që na shqetësojnë si rajon dhe të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme, të bazuara mbi parime të përbashkëta të drejtësisë.

Për ne, si Gjykata të Larta, ruajtja e qëndrueshmërisë në interpretimin e ligjit është një mision thelbësor për forcimin e shtetit të së drejtës, garantimin e sigurisë juridike dhe koherencën e sistemit. Po kaq e rëndësishme është të gjejmë balancën mes autoritetit të juridiksionit të brendshëm dhe detyrimeve ndërkombëtare, çështje e cila kërkon maturi, ndjeshmëri dhe bashkëpunim të vazhdueshëm. Vendosja e standardeve të përbashkëta, si shqyrtimi në kohë i çështjeve, zbatimi i unifikuar i ligjit apo përdorimi inteligjent i mjeteve digjitale, duhet të jetë pjesë e agjendës së çdo gjykate bashkëkohore, nëse dëshiron të funksionojë me hapin e kohës dhe të fitojë mbështetjen e qytetarëve për një drejtësi cilësore dhe të përshtatshme me realitetin e sotëm.

Forca e një gjyqësori qëndron në unitetin dhe vizionin e përbashkët, me synimin që drejtësia të bëjë drejtësi. Ne duhet të jemi shembulli më i lartë i integritetit dhe mbrojtësit më të zjarrtë të shtetit të së drejtës. Jemi këtu jo vetëm për të diskutuar sfidat, por për të ofruar zgjidhje konkrete, për të krijuar mekanizma të përbashkët dhe për të forcuar besimin te institucioni më i vyer i demokracisë – gjykata. Duhet t’u tregojmë qytetarëve se nuk ka vend për kompromis, kur vjen fjala te paanshmëria dhe integriteti profesional. Ne ndajmë jo vetëm jurisprudencën, por edhe kurajën për të mbrojtur të vërtetën, pa u trembur nga asnjë presion, cilado qoftë natyra e tij. Vetëm kështu do të rrisim besimin e çdo qytetari se Gjykata e Lartë është strehë drejtësie dhe se pas çdo objektivi të ligjit qëndron njeriu, dinjiteti dhe e drejta e tij për një vendim të drejtë.

Mesazhi kryesor që dëshirojmë të përcjellim nga kjo konferencë është se drejtësia e vërtetë lind dhe zhvillohet në frymën e bashkëpunimit, përkushtimit ndaj ligjit dhe respektimit të dinjitetit të çdo individi. Pikërisht me këtë frymë ndërtojmë ura besimi dhe bashkëpunimi mes gjykatave tona.

Gjykata e Lartë e Shqipërisë, si mikpritëse e këtij forumi, por edhe si pjesëmarrëse aktive në nismat aktuale dhe ato që mund të lindin gjatë punimeve të kësaj konference, është e angazhuar të kontribuojë në formalizimin e bashkëpunimit ndërgjyqësor. Synimi ynë është që ky bashkëpunim të jetë i qëndrueshëm, i institucionalizuar dhe në shërbim të punës së përditshme të gjyqtarëve të këtij rrjeti.

Le ta shndërrojmë këtë konferencë në një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit tonë për ndërtimin e një drejtësie më të mirë, më të shpejtë dhe më të besueshme për qytetarët e vendeve tona. Ta bëjmë këtë pikënisjen e rrugëtimit tonë të përbashkët drejt sundimit të së drejtës.

Ju uroj punë të mbarë dhe diskutime frytdhënëse!

Ju falënderoj për vëmendjen!

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat