back to top
9.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Mars, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaGjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka nën hetim/ SPAK regjistron kallëzim për fshehje...

Gjyqtarja e Posaçme Irena Gjoka nën hetim/ SPAK regjistron kallëzim për fshehje të dënimit

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka regjistruar një procedim penal pas një kallëzimi ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka. Ajo akuzohet se ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke në mesin e viteve 2000, që lidhet me falsifikimin e një pasaporte dhe një vize.

Kallëzimi është depozituar pranë SPAK nga Adriana Kalaja. Sipas Prokurorisë së Posaçme, procedimi penal është regjistruar për veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, ndërsa deri në këtë fazë nuk është regjistruar asnjë person si i dyshuar.

Ndërkohë, pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të martën se më datë 19 janar 2026 i ka përcjellë zyrtarisht Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) rezultatet e verifikimit të thelluar të deklarimeve të kryera nga gjyqtarja Gjoka në formularin e vetëdeklarimit për pastërtinë e figurës.

Të mërkurën, KLGJ administroi vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe dokumentacionin përkatës, të cilat do t’i vihen në dispozicion Komisionit të Zhvillimit të Karrierës. Ky komision do të hartojë një raport vlerësues, i cili më pas do t’i paraqitet seancës plenare publike të KLGJ-së për shqyrtim dhe vendimmarrje. Burime zyrtare nga KLGJ i thanë BIRN se nuk ka ende një afat të përcaktuar për përfundimin e kësaj procedure.

Edhe pse Prokuroria e Përgjithshme nuk e ka bërë publik përfundimin e verifikimit, një burim pranë këtij institucioni i tha BIRN, në kushtet e anonimatit, se vendimi i gjykatës greke ndaj gjyqtares Gjoka rezulton të jetë autentik.

Në këtë fazë, KLGJ do të duhet të shqyrtojë nëse gjetjet e Prokurorisë së Përgjithshme përbëjnë ose jo kusht ndalimi për ushtrimin e funksionit publik, bazuar në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Akuzat ndaj gjyqtares Gjoka u bënë publike pas vendimeve të saj për masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të dosjes “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht gjyqtaren për konflikt interesi dhe për fshehje të së kaluarës së saj, përfshirë dënimin penal në Greqi. Në këtë kontekst, KLGJ, si organi që shqyrton ankesat ndaj gjyqtarëve, kërkoi verifikimin e rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas akuzave publike, Gjoka dyshohet se është dëbuar nga Greqia për përdorim të dokumenteve të falsifikuara ose për shkelje të rregullave të qëndrimit, rrethana që pretendohet se nuk janë pasqyruar në formularin e dekriminalizimit.

Gjyqtarja Irena Gjoka e ka kaluar më herët procesin e rivlerësimit kalimtar (vetingun), pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk konstatoi shkelje që do të çonin në shkarkimin e saj nga detyra. Vendimi u ankimua fillimisht nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por ankimi u tërhoq gjatë procesit, duke bërë që vendimi i konfirmimit në detyrë të mbetej në fuqi.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat