Argita Malltezi u paraqit sot në SPAK.
Malltezi është pyetur në lidhje me kallzimin e bërë në SPAK, më 19 tetor nga ish-kryetarja e GJKKO, Irena Gjoka, njëherazi edhe gjyqtarja që caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në datën 23 shtator 2024, Argita Malltezi deklaroi se të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të strukturës së posaçme janë në dosjen e “Encrochat”.
Sipas saj, “gjyqtarja Gjoka del në një video, duke i kërkuar një ish-eksponenti të PS 500 mijë euro që rë mos e fuste në grup të strukturuar kriminal.”
Pas dëshmisë në SPAK ajo ka dhënë një deklaratë për mediat.
“Në një tentativë që duart të lajnë fytyrat që nuk mund të lahen, çdo tentativë për të mbyllur gojën e oponencës është një tentativë për të nxjerrë institucionet publike nga kontrolli publik, tentativë që do të dështojë.
I jam referuar shkrimeve që ekzistonin në media që e akuzonin zonjën në fjalë për ato të cilat ajo nuk i kundërshton dot dhe nuk i ka kundërshtuar.
Ajo megjithatë ka kërkuar që Dumani t’i lajë fytyrën. Vë në dyshim standartin e dyfishtë të kësaj godine këtu.
Unë dhe Jamarbri kemi bërë disa kallëzime për çështje konkrete për falsifikim aktesh konkrete”, tha ajo.
Kujtojmë se Gjoka ka kërkuar nga SPAK që të hetojnë deklaratat e Argita Berishës e cila e akuzon gjyqtaren se është filmuar duke i kërkuar 500 mijë euro një ish-eksponenti të PS.
Gjyqtarja Gjoka kërkoi hetime të thelluara nga SPAK për këto akuza publike që vajza e ish-kryeministrit ka bërë ndaj saj.