Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba ndaj gjashtë ndërmarrjeve grumbulluese të fruta–perimeve, pasi ka konstatuar bashkërendim të çmimeve të blerjes dhe shkelje të rënda të konkurrencës, në dëm të drejtpërdrejtë të fermerëve.
Sipas njoftimit zyrtar, pas një hetimi të thelluar që zgjati gati dy vite dhe u shtri në disa qarqe të vendit, Komisioni i Konkurrencës arriti në përfundimin se këto subjekte kishin aplikuar praktika të ndaluara, duke diktuar çmimet e blerjes, duke kufizuar negociatat dhe duke forcuar ndjeshëm pozitat e tyre ndaj fermerëve.
Hetimi përfshiu tregun e grumbullimit dhe shitjes me shumicë të fruta–perimeve në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë. Në mbledhjen e datës 26 nëntor 2025, Komisioni miratoi vendimet nr. 1234–1239, me të cilat u konstatua se ndërmarrjet Omer Fruit SHPK, Nedrete Arapi PF, Besim Thaqi PF, Morina Grup SHPK, Fruit-To-Zela SHPK dhe Roland-2012 SHPK kishin bashkërenduar çmimet gjatë periudhave të sezonit.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, këto ndërmarrje kishin aplikuar marzhe shumë të larta fitimi, deri në 115%, duke dëmtuar rëndë fermerët dhe duke shtrembëruar funksionimin normal të tregut. Sjellja e tyre është cilësuar si marrëveshje e ndaluar në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” dhe si shkelje e rëndë, për të cilën janë vendosur gjoba deri në 0.15% të xhiros vjetore të vitit financiar paraardhës.
Autoriteti thekson se hetimi tregoi se fermerët përballeshin me çmime të koordinuara, mungesë reale negocimi, varësi nga një numër i vogël blerësish, presione për uljen e çmimeve dhe vonesa në shlyerjen e pagesave. Vendimi synon të korrigjojë këto problematika dhe të forcojë pozitat e fermerëve në treg.
Edhe pse gjobiten gjashtë ndërmarrje konkrete, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se efekti i vendimit shtrihet në të gjithë tregun kombëtar të fruta–perimeve, pasi vendos standarde të qarta për transparencën e çmimeve, nxit konkurrencën e ndershme dhe synon disiplinimin e sektorit agro-ushqimor.
Përveç gjobave, Komisioni ka urdhëruar ndërmarrjet e ndëshkuara që të afishojnë në mënyrë të dukshme çmimet aktuale të produkteve që grumbullojnë dhe të jenë nën monitorim nga Autoriteti i Konkurrencës për një periudhë njëvjeçare, me qëllim rritjen e transparencës dhe parandalimin e shkeljeve të tjera.
Ndërkohë, me vendimin nr. 1240, Komisioni i Konkurrencës i ka drejtuar rekomandime Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, duke kërkuar reforma strukturore në treg. Këto përfshijnë minimizimin e informalitetit, hartimin e një kuadri të ri ligjor në përputhje me standardet e BE-së, krijimin e një platforme kombëtare online të çmimeve, vendosjen e kontratave të detyrueshme dhe standardizuara, si dhe transpozimin e Direktivës së BE-së për praktikat tregtare të padrejta.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky është një sinjal i qartë se mbrojtja e fermerëve dhe garantimi i konkurrencës së lirë e të ndershme mbeten prioritete, me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e zinxhirit ushqimor dhe në ekonominë bujqësore të vendit.



