Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka kërkuar konfiskimin e disa pasurive të shtetasit D.A. dhe të personave të lidhur me të, në kuadër të ligjit për goditjen e pasurive të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Kjo kërkesë vjen në përfundim të hetimeve për procedimin pasuror nr.2, të vitit 2019, ku sipas Prokurorisë, pasuritë në fjalë nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e tyre.
Pasuritë që Prokuroria kërkon të konfiskojë
Truall 350 m² në qytetin Gjirokastër
Truall 1500 m² dhe ndërtesë 23 m² në Lazarat
Truall 450 m² dhe 1646 m² në Grehot
Arë 7000 m² në fshatin Arshi Lengo
Objekt tregtar 6500 m², ndërtuar në 2005, në fshatin Kordhocë, Lazarat
Lokal dhe magazinë ndërtuar në 2013 në Kordhocë
Fushë mini-futbolli 500 m² dhe ndërtesë 37.2 m² në Lazarat
Autoveturë tip Mercedes Benz
Prokuroria shprehet se do të vijojë me prioritet hetimet pasurore dhe veprimet ligjore për sekuestrimin apo konfiskimin e pasurive që nuk justifikohen me burime të ligjshme, në zbatim të ligjit nr. 10192, datë 03.12.2009.