Ish-kryeministri Sali Berisha ka goditur ashpër kabinetin e ri qeveritar dhe emërimet e kryeministrit Edi Rama, duke lëshuar akuza të forta ndaj disa prej figurave të reja.
Në një deklaratë të gjatë, Berisha ndaloi fillimisht tek ministri Blendi Gonxhe, të cilin e cilësoi si “hajdutin më të stërvitur të zyrtarëve shqiptarë”. Sipas tij, Gonxhe ka rënduar barrën fiskale mbi qytetarët, ka përfituar përmes kompanive private miliona euro, ndërsa është i përfshirë edhe në aferën e pistës së Formula 1 në Elbasan, që sipas Berishës ka kaluar nga një projekt prej 10 milionë eurosh në një kosto marramendëse prej 230 milionë eurosh.
“Gonxhe është hajduti më i stërvitur, njeriu që mbyti Tiranën dhe që mbështetet nga Edi Rama për shkak të aferave korruptive”, tha Berisha.
Ish-kryeministri u ndal më tej tek emërimi i Koçiut, të cilin e quajti “licenca e re për krimin dhe trafikun e drogës”. Në vijim, Berisha akuzoi gjithashtu Lamallarin dhe Evis Salën si pjesë e “klubit të Sorosit” në Shqipëri.
“Lamallari dhe Evis Sala janë përfaqësues të klanit të Sorosit, të emëruar për interesa klienteliste dhe për t’i shërbyer regjimit të Ramës. Ky është kabineti më i pamëshirë që shqiptarët kanë pasur ndonjëherë”, deklaroi ai.
Sipas Berishës, kriteri i vetëm mbi të cilin Rama ka bërë zgjedhjet është “korrupsioni, klientelizmi dhe lidhja me Sorosin”. Ai shtoi se ky qeverisje po e çon vendin drejt kapjes totale të shtetit nga afera dhe interesat e ngushta të kryeministrit dhe rrethit të tij.