Kreu i PD-së Sali Berisha ka folur për marrëveshjen e detit me Greqinë.
Sipas tij në kohën që ishte në pushtet u bë një marrëveshje që fitonin të dyja palët.
Ai ka lëshuar akuza ndaj qeverisë Rama, se po i jep detin Greqisë me 12 milje më shumë.
Deklarata e Berishës:
Mund të them se të gjitha qëndrimet e Edi Ramës janë të papërgjegjshme në raport me fqinjët tanë.
Së pari, ai injoroi totalisht traktatin për shkakun e vetëm se ishte firmosur nga qeveria e PD.
Së pari, qeveria e PD arriti të firmosë marrëveshjen e detit me Greqinë dhe unë u them ju se ajo marrëveshje ishte, siç quhet, fitim-fitim, pra fitonte secila palë.
Ajo ishte një marrëveshje e ndershme, transparente, të cilën Edi Rama e paditi në gjykatë, dhe pasi e rrëzoi në gjykatë për interesa joshqiptare, u soll në mënyrën më të papërgjegjshme me autoritetet greke.
Pasi negociuan katër vite me radhë, një ditë të bukur dalin e u thonë, tani nuk na lë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Kush humbi në këtë mes? Humbi Shqipëria.
Pse humbi Shqipëria? Sepse mungesa e plotë e seriozitetit të qeverisë së Tiranës, bëri që qeveria greke, e cila kishte qëndruar për dekada në hapësirën 6 milje të ujërave territoriale, në përputhje me traktatin ndërkombëtar, kaloi në 12 milje. Dhe këtu Greqia nuk shkeli asnjë traktat, përkundrazi Greqia shfrytëzoi atë të drejtë ndërkombëtare që i jep traktati i detit.
Ishin këta që negociuan katër vite dhe thanë se ne nuk na lejon vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Sigurisht asnjë qeveri, edhe unë po të isha, do të bëja të njëjtin vendim. Do merrja të njëjtin vendim.
Atëherë Greqia shfrytëzoi të drejtën e traktatit dhe kaloi në 12 milje.
Kështu që marrëveshja që do firmoset, firmoset në kushte shumë të pafavorshme se marrëveshja e parë.
Kjo për shkak të papërgjegjshmërisë së Tiranës.