back to top
24.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025
spot_img
KreuAktualitetBotaGuvernatorja e Rezervës Federale sfidon Donald Trump

Guvernatorja e Rezervës Federale sfidon Donald Trump

Presidenti Donald Trump deklaroi të hënën se ka shkarkuar guvernatoren e Rezervës Federale (Fed), Lisa Cook, një veprim historik, pasi është hera e parë në 111 vite që një president shkarkon një anëtar të bordit të bankës qendrore amerikane.

Lëvizja shënon një përshkallëzim të ndjeshëm të tensioneve midis Trump dhe Fed-it, të cilin ai e ka kritikuar shpesh për mosuljen e mjaftueshme të normave të interesit.

Cook është përballur kohët e fundit me akuza për mashtrim hipotekor, të ngritura fillimisht nga drejtori i agjencisë federale të strehimit, Bill Pulte. Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar se do të hetojë pretendimet, por ajo nuk është akuzuar për asnjë shkelje deri më tani.

Në një deklaratë të publikuar nga avokatët e saj, Cook reagoi: “Presidenti Trump ka pretenduar se më shkarkon ‘me shkak’, ndërkohë që nuk ekziston asnjë shkak ligjor për këtë, dhe ai nuk ka autoritetin për të më shkarkuar. Nuk do të jap dorëheqjen. Do të vazhdoj të ushtroj detyrat e mia për të ndihmuar ekonominë amerikane, siç kam bërë që prej vitit 2022.”

Rezerva Federale nuk ka komentuar mbi zhvillimet. Ende nuk është e qartë nëse presidenti ka autoritetin ligjor për ta shkarkuar Cook. Ligji lejon shkarkimin vetëm “me shkak”, por nuk përkufizon qartë se çfarë përbën një “shkak”.

Në letrën e tij drejtuar Cook, Trump shkruan: “Kam vendosur që ka arsye të mjaftueshme për t’ju larguar nga pozicioni.” Ai shton se veprimet e saj “tregojnë pakujdesi të rëndë financiare” dhe e vënë në dyshim integritetin e saj.

Sipas një hetimi të CNN, Cook kishte marrë dy kredi për prona të ndryshme, të dyja të deklaruara si “banesa kryesore”, por nuk dihet nëse kjo ishte bërë me qëllim apo jo.

Cook, e emëruar në vitin 2022 nga presidenti Joe Biden, është gruaja e parë me ngjyrë që ka shërbyer ndonjëherë si guvernatore në bordin e Fed-it.

Sipas avokatit të saj, Abbe David Lowell, “do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për të ndaluar këtë veprim të paligjshëm të presidentit.”

Ndërkohë, situata ka tronditur tregjet: indeksi i dollarit amerikan ra me 0.3%, ndërsa tregjet e aksioneve pësuan rënie të menjëhershme. Ari, si një aset i sigurt në kohë pasigurie, Tu rrit me 0.45%.

Në një reagim të ashpër, senatorja Elizabeth Warren e cilësoi shkarkimin si një “kapje autoritare të pushtetit” që shkel hapur Aktin e Rezervës Federale dhe që “duhet të rrëzohet në gjykatë”.

Ekspertët paralajmërojnë se nëse pavarësia e Fed-it cënohet, do të minohet besueshmëria ekonomike e SHBA-së dhe mund të goditen rëndë si dollari, ashtu edhe tregjet financiare.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat