Sot, me vendimin nr. 79 datë 05.12.2025, GJKKO shpalli fajtorë dhe dënoi disa prej emrave më të njohur të trafikut të drogës në Shqipëri, Florian Habilaj, Armando Sulaj, Sabaudin Çelaj dhe Tigrens Mëzuraj për vepra penale që përfshijnë “trafikimin e narkotikëve” dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Dënimet përfundimtare variojnë, për Habilajn, 10 vjet burg, për Sulajn, 6 vjet, për Çelajn, 10 vjet dhe për Mëzun, 6 vjet. Të gjithë do të vuajnë dënimin në burgje të sigurisë së lartë.
Gjykimi u zhvillua me procedurë të shkurtuar, me trupë gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Esmeralda Xhili, Arbana Selmanaj dhe Migena Laska.
Historia e grupit Habilaj dhe e personave të tjerë të dënuar nuk nis me këtë vendim. Hetimet për trafik droge dhe bashkëpunim me figura të rëndësishme në politikë kanë qenë gjithmonë pjesë e debatit publik. Sipas drejtesisë, në dosjen e mëparshme për bandën Habilaj, është zbuluar një marrëdhënie e afërt mes grupeve kriminale dhe ish‑ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
Në aktet e gjykimit, gjykata ka vlerësuar se lidhjet midis Tahirit dhe Habilajve, përfshi aksesin në pushtet dhe burime shtetërore, “krijuan premisat më të favorshme për infiltrimin e grupit kriminal në polici dhe shtet”.
Megjithatë, kur Tahiri u gjykua më pas, gjykata rrëzoi akuzat për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, duke e dënuar vetëm për “abuzim detyre” dhe jo për krime të organizuara me vendim që e la me shërbim prove.
Emri i Saimir Tahiri, edhe pse nuk u gjykua për trafik droge, vazhdon të përmendet në dokumente hetimore për lidhje me Habilajt.



