Dhoma e Avokatisë Shkodër i është drejtuar me një deklaratë zyrtare Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, ku kërkon rishikimin e hartës së re gjyqësore, duke argumentuar se zbatimi i saj ka sjellë pasoja të ndjeshme në funksionimin e sistemit.
Në qëndrimin publik, Dhoma shprehet se reforma territoriale e sistemit gjyqësor, e prezantuar si një ndërhyrje për rritjen e eficiencës dhe racionalizimin e burimeve, në praktikë ka krijuar një disproporcion mes objektivave të shpallura dhe realitetit funksional të gjykatave, veçanërisht në shkallën e dytë dhe në çështjet administrative.
Sipas saj, centralizimi i theksuar i gjykatave të Apelit ka sjellë një akumulim të jashtëzakonshëm çështjesh, duke rritur stokun e dosjeve dhe duke zgjatur afatet e shqyrtimit. Këto vonesa, theksohet në deklaratë, krijojnë pasiguri juridike për palët dhe pasoja ekonomike e sociale që shtrihen përtej interesit individual.
Dhoma e Avokatisë Shkodër nënvizon se e drejta për akses efektiv në drejtësi nuk është një koncept abstrakt, por presupozon afate të arsyeshme, barazi reale procedurale dhe mundësi konkrete për t’iu drejtuar gjykatës. Sipas saj, kur distanca gjeografike, kostot ekonomike dhe mbingarkesa strukturore bëhen pengesë për qytetarët, cenohet thelbi i garancive kushtetuese.
Në deklaratë evidentohen edhe problematika të tjera, si mospërputhja mes volumit të çështjeve dhe kapaciteteve njerëzore e infrastrukturore, rritja e presionit mbi gjyqtarët, vështirësitë në garantimin e specializimit dhe dobësimi i rolit të gjykatës si institucion i afërt me komunitetin.
Dhoma e Avokatisë Shkodër kërkon një analizë të thelluar dhe transparente mbi funksionimin aktual të hartës gjyqësore, të bazuar në tregues konkretë si kohëzgjatja mesatare e gjykimeve, stoku i çështjeve dhe barra ekonomike mbi qytetarët. Ajo shprehet e hapur për dialog institucional dhe për të kontribuar me ekspertizë në çdo proces rishikimi që synon forcimin e sistemit të drejtësisë në vend.



