Qeveria shqiptare ka miratuar në parim marrëveshjen e kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e fazës së parë të hekurudhës Durrës–Rrogozhinë. Kredia kap vlerën e 30 milionë eurove dhe është pjesë e një pakete financimi me vlerë totale prej 120.5 milionë euro.
Projekti, i konsideruar strategjik, parashikon rehabilitimin dhe elektrifikimin e një segmenti 34 kilometra të gjatë, duke e përafruar me standardet e Bashkimit Evropian. Sipas planifikimeve, pas përfundimit të punimeve, trenat në këtë linjë do të udhëtojnë me shpejtësi deri në 120 kilometra në orë.
Financimi total për realizimin e projektit do të plotësohet edhe nga një kredi tjetër, prej 90 milionë eurosh, e miratuar javën e kaluar nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI).
Linja Durrës–Rrogozhinë është pjesë e Korridorit VIII, një aks transporti me rëndësi të veçantë që lidh Italinë me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Ky projekt synon të rrisë ndërlidhjen ndërkombëtare, të lehtësojë transportin e udhëtarëve dhe mallrave dhe të shërbejë potencialisht edhe për nevoja të mobilitetit ushtarak.
Përveç rëndësisë ekonomike dhe strategjike, projekti do të ketë ndikim pozitiv edhe në mjedis. Kalimi i një pjese të ngarkesës së transportit nga rrugët në hekurudha pritet të ulë ndjeshëm emetimet e karbonit dhe ndotjen, duke kontribuar në një model më të qëndrueshëm zhvillimi.
Me këtë marrëveshje, Shqipëria vijon përpjekjet për modernizimin e infrastrukturës së saj hekurudhore dhe integrimin me rrjetin hekurudhor evropian, duke hapur rrugën për investime të reja dhe zhvillim të qëndrueshëm.