Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, u paraqit këtë të enjte në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Golemi qëndroi për rreth tre orë në SPAK, ndërsa pas daljes u prononcua shkurt për mediat. Ai deklaroi se ka dhënë shpjegime në cilësinë e personit në dijeni për një çështje që, sipas tij, lidhet me institucionin e Bashkisë së Gjirokastrës.
“Dhashë një deklaratë si person në dijeni për një çështje që ka të bëjë me institucionin e bashkisë së Gjirokastrës,” u shpreh Golemi, pa dhënë detaje të tjera mbi natyrën e hetimit.
Deri më tani, SPAK nuk ka dhënë një njoftim zyrtar lidhur me çështjen për të cilën është marrë në pyetje kryebashkiaku i Gjirokastrës, ndërsa mbetet e paqartë nëse hetimet lidhen me procedura konkrete apo vendimmarrje institucionale të bashkisë.



