back to top
7.5 C
Tirana
E martë, 3 Dhjetor, 2024
spot_img
KreuDrejtësiaHetimet për “Toyota Yaris”/ Cilët janë njerëzit e politikës dhe të drejtësisë,...

Hetimet për “Toyota Yaris”/ Cilët janë njerëzit e politikës dhe të drejtësisë, pjesë e aferës, 3.4 milionë euro

“Toyota Yaris”, është rikthyer sërish në vëmendje sot nga kreu i PD-së Sali Berisha, i cili ka paralajmëruar se do të publikojë dokumente që vërtetojnë përfshirjen e politikanëve të lartë.

Deri më tani në aferën e 3.4 milionë eurove rezultojnë të përfshirë, të paktën sipas njoftimeve të SPAK-ut, prokurorë, gjyqtarë e oficerë policie, të cilët disa janë në kërkim

“Toyota Yaris” nisi nga Kuvendi

Për herë të parë ishte Lulzim Basha që e artikuloi këtë çështje në Kuvend, gjatë një replike me Taulant Ballën.

Basha, i cili akuzoi kreun e Grupit të Partisë Socialiste, në atë kohë, Taulant Balla si të përfshirë në marrjen e 3.4 milionë eurove.

“Por ta kanë zbuluar Toyotën, o zgërdhimtar, bashkë me 1.5 milion euro të drogës brenda!”, u shpreh Basha në qershor të vitit 2018 nga salla e Kuvendit.

Akuzat, socialisti i cilësoi si shpifje, duke ngritur padi ndaj tij për shpifje dhe dekonspirim të operacionit.

Balla e fitoi gjyqin ndaj Bashës, i cili u gjobit me 50 mijë lekë gjobë për shpifje.

Ç’ndodhi me hetimin?

Aksioni për bllokimin e 3.4 mln eurove në Toyota Yaris u finalizua me 24 qershor të vitit 2018, ndërsa eurot me prerje të ndryshme ishin fshehur në “Toyota Yaris” pa targa.

Fillimisht hetimet për 3.4 milionë eurot e gjetura në dy mjetet “Toyota”  nisën nga  Prokuroria e Durrësit dhe më pas e njëjta ia kaloi për kompetencë Krimeve të Rënda.

Dosja e “Toyota Yaris” u hetua fillimisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, Ened Nakuçi dhe Doloreza Musabelli, përpara se të dërgohej për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës.

Ened Nakuçi

Më 23 shtator 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi të dërgojë çështjen në gjyq.

Në seancën paraprake të zhvilluar më 29 tetor 2019, prokurorët pretenduan se pesë të pandehurit kishin krijuar një grup të strukturuar kriminal me qëllim pastrimin e 3.4 milionë eurove përmes “fshehjes, mbulimit të burimit dhe zhvendosjes së pasurisë”.

Doloreza Musabelliu

Prokurorët e justifikuan anën subjektive të veprës penale me tërësinë e veprimeve të të pandehurve dhe organizimin e tyre për të fshehur paratë, duke ditur paligjshmërinë e burimit të tyre..

Gjyqtari Fran Prendi i konsideroi hetimet të paplota dhe vendosi të kthejë aktet për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Fran Prendi

Sipas vendimit të Prendit, prokurorët nuk ofruan asnjë provë që të tregojë se të pandehurit kanë kryer ndonjë vepër penale në territorin e Shqipërisë ose jashtë saj, si rezultat i së cilës të jenë krijuar vlerat monetare të sekuestruara.

Në seancën e dytë paraprake të zhvilluar më 10 dhjetor 2019, prokurorët u rikthyen para gjykatës vetëm me dëshminë shtesë të avokatit Bledar Fejzo –që konfirmonte versionin e Vladit.

Prokurorët thanë se kishin përkthyer letër-porositë, por “nuk kishte rezultuar ndonjë e dhënë e re në krahasim me aktet që janë administruar gjatë hetimit”.

Prokurorët konsideruan gjithashtu se pyetja e pronarëve të tokës ishte e panevojshme.

Seanca e 10 dhjetorit 2019 duket se u mbyll me kompromis mes avokatëve, prokurorëve dhe gjyqtarit -pasi përfaqësuesit e Prokurorisë i konsideruan të gabuara dhe të pasakta akuzat e ngritura më parë prej tyre.

Më tej pas shkrirjes së  Krimeve të Rënda, dosja e parë që kalon në rrethe është “Toyota Yaris”.

Sipas hetimeve të kryera, krimet e rënda kanë hequr akuzën e grupit të strukturuar kriminal e për pasojë s’mund të jetë kompetencë e SPAK.

“Dosja Nr.26 e Toyota Yaris” , të implikuar prokurorë dhe gjyqtarë

Prokuroria e Posaçme ka rihapur dosjen “Toyota Yaris” dhe ka vënë në pranga kryeprokurorin e Vlorës, një magjistrate, një avokat dhe familjarin e një prej personave të akuzuar si “koka” e trafikut të 3.4 milionë eurove përmes importit të makinave nga Belgjika.

Aurel Zarka

Në pranga janë vënë kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka, hetuesja e BKH-së Elona Dautaj, avokati Radovan Çela dhe biznesmeni Astrit Vladi janë shpallur në kërkim.

Sipas njoftimit të SPAK, procedimi për këtë çështje është regjistrua në shkurt të vitit 2024 ndërsa janë marrë informacione nga agjenci të huaja të zbatimit të ligjit si dhe janë marrë prova nga autoritetet e drejtësisë së shteteve të tjera.

“…Personat nën hetim, në bashkëpunim dhe në disa raste kanë ofruar dhe kanë premtuar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarët e drejtësisë, kanë pranuar premtime dhe kanë përfituar përfitime të parregullta për të ushtruar ndikim te funksionarët e drejtësisë…,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, prokurori Zarka dhe personat e tjerë akuzohen se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm për tetë çështje penale që po hetoheshin në katër prokurori të ndryshme – çështje të cilat lidhen kryesisht me aktivitete të krimit të organizuar si pastrimi i parave apo kultivimi i narkotikëve.

Interesi kryesor duket se lidhej me çështjen penale të njohur publikisht si “Toyota Yaris”, e cila u regjistrua pas bllokimit në portin e Durrësit në qershor të vitit 2018 të 3.4 milionë eurove të thata të fshehura në dy makina të përdorura dhe të importuara nga Belgjika.

Në lidhje me ngjarjen, u arrestuan fillimisht Klevi Cani, Edi Lika dhe Alban Mollaymeri dhe u akuzuan kushërinjtë Elvis Vladi dhe Alfred Vladi. Astrit Vladi është vëllai i Elvis Vladit.

Hetimet e mëhershme dështuan të provonin se trafiku i parave përmes makinave të përdorura ishte pjesë e një skeme të pastrimit të parave./Etleva Skonja

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat