back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 6 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetHetimi i SPAK/ Balluku flet për herë të parë: “Çdo çështje juridike...

Hetimi i SPAK/ Balluku flet për herë të parë: “Çdo çështje juridike ka rrjedhën e vet”

Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka zhvilluar këtë të premte një konferencë për mediat, ku ka prezantuar zyrtarisht pasardhësin e saj, Enea Karakaçi, duke shprehur vlerësimin për rrugëtimin e bërë gjatë shtatë viteve të fundit në krye të Ministrisë.

Balluku ka nisur fjalën e saj duke përshkruar eksperiencën dhe përkushtimin e skuadrës që ajo drejtoi:

“Çdo rrugëtim ka fillimin dhe fundin e tij. Sot jam këtu për t’i vënë një fund këtij rrugëtimi që kemi bërë së bashku në 7 vite, por me gjurmë të jashtëzakonshme për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe për ndërtimin e një Shqipërie evropiane. Kam qenë me fat që këtë rrugëtim e kam bërë me ju, me burra dhe gra të përkushtuar për të realizuar vizionin e një lideri të madh siç është Edi Rama. Më vjen mirë që gjatë këtij rrugëtimi jemi përballur me vështirësi të cilat kanë qenë sfiduese, por na kanë bërë më të fortë.”

Ajo ka theksuar rëndësinë e ekipit dhe projektet e realizuara gjatë mandatit të saj, duke e cilësuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si një shembull për punën e palodhur dhe përkushtimin e stafit:

“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është një shembull për t’u marrë se si një skuadër e përkushtuar ia del që të çojë përpara punë, projekte, vepra të cilat mendoheshin të parealizueshme. Në krahun tim kam ministrin e ri, i cili sapo ka nisur rrugëtimin e tij. Tek Enea, gjithsecili duhet të shikojë progresin e vetes së tij, duhet të shikojë se si do t’i jepet mundësi për të pasuar atë që Enea do të ngrejë në ditët në vazhdim.”

Balluku nuk ka lënë pa prekur edhe çështjet personale dhe akuzat që janë ngritur ndaj saj, duke treguar mbështetjen e saj për drejtësinë dhe procesin ligjor:

“Kam marrë një vendim personal, me vullnet të lirë, që të hesht për një çështje juridike, pasi unë besoj se çdo çështje juridike nuk zgjidhet as në media sociale dhe as në bankete mediatike, por duhet të ketë rrjedhën e saj ashtu siç e parashikon Kushtetuta, kodet apo ligjet në fuqi. Kam vendosur, ndryshe nga shumë të tjerë, të mos analizoj, të mos flas dhe të mos anatemoj, por të jem konsistente në qëndrimin tim sa i takon drejtësisë.”

Ajo ka shtuar se beson te reforma në drejtësi dhe rëndësia e drejtësisë së pavarur si një element kyç për besimin e qytetarëve:

“Drejtësia duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Unë besoj se drejtësia e re, si produkt i reformës në drejtësi, si produkt i vizionit të Ramës dhe PS-së, si një produkt i një Shqipërie evropiane, duhet të vazhdojë të jetë frymëzim për këtë vend. Nuk kam pasur dhe as nuk kam lidhje me korrupsionin. Po më bëhet gjyq publik.”

Balluku ka përfunduar fjalën e saj duke theksuar qëndrimin e saj të pandryshueshëm për respektimin e ligjit dhe të drejtësisë, duke bërë thirrje për qetësi dhe profesionalizëm në çdo çështje që lidhet me të:

“Nuk do të më dëgjoni kurrë as ta lavdëroj kur drejtësia godet kundërshtarët e mi politikë, dhe as ta anatemoj kur kjo drejtësi mund të prekë interesat e mia personale. Secili duhet të jetë i lirë për të vendosur dhe gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjykata publike, nga gjysmë të vërteta apo nga gënjeshtra.”

Në konferencë u prezantua edhe Enea Karakaçi si ministri i ri, i cili do të vazhdojë punën dhe projektet e nisura nga Balluku, duke marrë përgjegjësitë e plota për zhvillimin e infrastrukturës dhe energjisë në vend.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat