Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se do të vijojë të forcojë bashkëpunimin me Prokurorinë e Posaçme Anti-korrupsion (SPAK), me qëllim mbështetjen e Shqipërisë drejt një të ardhmeje të sigurtë dhe të begatë.
Në një komunikatë të publikuar sot Ambasada përgëzoi hetuesin e SPAK dhe BKH, Eduard Kaloshin, i cili këtë muaj ka përfunduar me sukses Akademinë Kombëtare të FBI-së.

“Çuarja përpara e bashkëpunimit në zbatimin e ligjit mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë fillon me ofrimin e mundësive të trajnimeve të nivelit më të lartë për oficerët më të përkushtuar të Shqipërisë. Ne përgëzojmë hetuesin e SPAK/BKH, Eduart Kaloshi, për diplomimin e tij këtë muaj në Akademinë Kombëtare të FBI-së,” thuhet në njoftim.
Sipas Ambasadës, Kaloshi i bashkohet grupit të shquar të ish-studentëve ndërkombëtarë të FBI-së, duke sjellë aftësi dhe ekspertizë të re e të vlefshme në përpjekjet e SPAK në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Arritjet e tij do të forcojnë më tej bashkëpunimin e Shteteve të Bashkuara me SPAK dhe do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj,” përfundon njoftimi i Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Ky lajm vjen në një kohë kur institucionet shqiptare vijojnë përpjekjet për të forcuar kapacitetet në zbatimin e ligjit dhe për të luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes.



