back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 10 Prill, 2026
spot_img
KreuAktualitetHoxha i përgjigjet Berishës/ "Negociatat me BE nuk kanë ngecur"

Hoxha i përgjigjet Berishës/ “Negociatat me BE nuk kanë ngecur”

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka deklaruar se procesi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian po vijon me ritme të mira dhe se pretendimet për ngecje në Bruksel janë të pabazuara.

Në një konferencë për mediat, Hoxha i cilësoi “tymnajë” deklaratat dhe analizat e fundit që sugjerojnë se procesi i mbylljes së kapitujve të anëtarësimit ka hasur pengesa në institucionet europiane. Sipas tij, Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm dhe të konfirmuar nga vetë institucionet e BE-së dhe vendet anëtare.

“Kohët e fundit kemi parë këndvështrime, deklarata dhe hamendësime që do t’i quaja një tymnajë të ushqyer nga diskursi i brendshëm. Ajo që është fakt është se Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në avancimin e negociatave,” u shpreh ministri.

Ai theksoi se procesi i integrimit nuk është vetëm teknik apo burokratik, por një transformim i thellë institucional dhe shoqëror brenda vendit. Sipas tij, vendimet merren në Bruksel, por reformat dhe ndikimi i tyre real ndodhin në Shqipëri.

Hoxha shtoi se institucionet shqiptare kanë qenë të angazhuara në komunikim me qytetarët, përfshirë takime me studentë dhe të rinj, për të shpjeguar procesin e integrimit dhe rëndësinë e tij.

“Integrimi nuk është vetëm proces letrash apo raportesh, por një proces transformimi që ndodh këtu. Impakti i reformave mbetet këtu,” deklaroi ai.

Duke u ndalur te çështja e transparencës, ministri pranoi se ka vend për përmirësim në komunikim, por hodhi poshtë pretendimet për mungesë transparence në procesin negociues. Ai shpjegoi se pozicionet negociuese të Shqipërisë janë dokumente të përgatitura nga grupi negociator dhe të klasifikuara sipas ligjit në fuqi.

Sipas Hoxhës, Shqipëria ka dorëzuar 92 hapa konkretë në kuadër të procesit, mbi të cilët është hartuar raporti IBAR nga Komisioni Europian dhe i është paraqitur Këshillit të BE-së.

Ai theksoi gjithashtu se është normale që vendet anëtare të kenë pyetje dhe kërkesa shtesë gjatë procesit të vlerësimit, duke e cilësuar këtë si një praktikë standarde në negociatat e zgjerimit.

“Vende të ndryshme kanë pyetje të ndryshme. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që 27 vende anëtare të marrin një raport dhe të mos kenë pyetje. Kjo është një procedurë normale,” u shpreh Hoxha.

Në fund të deklaratës së tij, ministri krahasoi ritmin e negociatave të Shqipërisë me vendet e tjera të rajonit, duke theksuar se Malit të Zi i janë dashur vite për të hapur kapitujt, ndërsa Shqipëria i ka hapur brenda një periudhe shumë më të shkurtër, çka sipas tij tregon progres të dukshëm në procesin e integrimit europian.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat