Qeveria shqiptare ka shpallur zyrtarisht hyrjen në fuqi të Bordit të Transparencës, një mekanizëm i ri që synon monitorimin dhe ndërhyrjen në tregun e karburanteve.
Vendimi është firmosur nga kryeministri Edi Rama dhe parashikon ngritjen e një strukture të posaçme, ku do të përfshihen edhe përfaqësues të kompanive të hidrokarbureve.
Sipas përcaktimeve, këto kompani kanë afat deri më 24 mars për të paraqitur pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë përfaqësuesit e tyre, të cilët do të bëhen pjesë e bordit. Ky i fundit pritet të mblidhet brenda javës për të vendosur kufijtë maksimalë të çmimeve në tregun e naftës.
Ndërkohë, në tregun vendas, çmimet e karburanteve kanë mbetur të pandryshuara prej disa ditësh, pavarësisht luhatjeve në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht, ato variojnë nga 214 deri në 217 lekë për litër, nivele që janë ruajtur që nga 19 marsi.
Në një reagim të mëparshëm, Rama ka paralajmëruar se në rast se çmimi i karburantit kalon pragun prej 220 lekësh për litër, qeveria do të ndërhyjë me një ulje prej 20% të akcizës, me qëllim lehtësimin e barrës për konsumatorët.
Ngritja e Bordit të Transparencës vjen në një kohë kur çmimet e energjisë dhe karburanteve vijojnë të jenë në fokus të vëmendjes publike dhe ekonomike/



