Ish-kryeministri Sali Berisha ka vijuar me akuzat e tij të rënda ndaj prokurorit Altin Dumani, duke e cilësuar si “delinkuentin që kontrollon sistemin e drejtësisë shqiptare”.
Në një prononcim për gazetarët jashtë ambienteve të gjykatës, Berisha akuzoi Dumanin se ka ushtruar presion të jashtëligjshëm mbi trupën gjykuese, madje sipas tij, ka pasur edhe përplasje fizike me një gjykatëse që nuk i ka zbatuar urdhrat.
“Thuhet se është përplasur fizikisht me një gjykatëse që nuk i ka zbatuar urdhrat. Janë rrëmbyer kompjuterë për ta terrorizuar. Janë skena që tregojnë përçudnimin e sistemit të drejtësisë,” deklaroi Berisha, duke shtuar se informacioni meriton hetim të mëtejshëm gazetaresk.
Ai theksoi se pretendimet e tij nuk janë të drejtuara personalisht ndaj gjyqtarëve, por ndaj një sistemi që sipas tij “është i kapur nga individë që veprojnë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut”.
“Gjykatësi duhet të jetë i lirë në ushtrimin e detyrës. Por sot, janë nën kontrollin total të një prokurori si Dumani” u shpreh ai.
Berisha njoftoi gjithashtu se nuk do të paraqitej në seancën e sotme, me arsyetimin se kjo është një seancë procedurale ku paraqiten pretendimet nga avokatët dhe se pjesëmarrja e tij do të përcaktohet më tej në konsultim me mbrojtjen.