Pasditja e sotme dhe dita e nesërme pritet të shoqërohen me reshje intensive shiu, ndërsa qarqet më të rrezikuara janë Shkodra dhe Kukësi, njofton Instituti i Gjeoshkencës, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEOT).
Sipas parashikimeve, reshjet intensive do të sjellin rritje të prurjeve në disa lumenj të veriut dhe jugut të vendit, duke përfshirë Drin-Buna, Liqenin e Shkodrës, Mat, Shkumbin dhe Vjosën.
Reshjet
Sot pasdite (e shtunë, dt. 03) dhe nesër (e diel, dt. 04), priten reshje intensive, lokalisht shumë intensive, kryesisht në qarqet Shkodër dhe Kukës, me rrezik për vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dheu.
Në qarqet Dibër, Lezhë, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet priten mesatare deri lokalisht intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Në qarqet e tjera priten reshje të dobëta deri mesatare. Në zonat urbane të Shkodrës dhe Kukësit mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Temperaturat (e diel, dt. 04 Janar 2026)
Bregdet: 13 – 17 °C
Vendet e ulëta: 10 – 18 °C
Vendet malore: 4 – 12 °C
Era
Era pritet të fryjë mesatare deri e fortë në bregdet dhe në veri gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme.
IGJEOT rekomandon qytetarët dhe autoritetet lokale të jenë të kujdesshëm ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dherave, veçanërisht në zonat më të prekura.



