Pamjet e kolapsit në fushë të Edoardo Boves kanë bërë xhiro në rrjet dhe kanë tronditur botën e futbollit. Për fat të mirë, situata duket se është zgjidhur në mënyrën më pak tragjike të mundshme, por ky episod ka ngjallur dhe do të vazhdojë të ngjallë reflektime.
Është e vështirë të kuptohet se si sportistë të këtij niveli mund të jenë viktima të ngjarjeve kaq dramatike gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Sidomos ata, që duhet të jenë nën kontroll maksimal dhe në gjendjen më të mirë fizike. Megjithatë, nuk është gjithmonë e sigurt që gjithçka bëhet me kujdesin maksimal, siç ka treguar Ivo Pulcini, mjek aktual i Lazios.
“Në vitin 2019, vizitova një lojtar shumë të rëndësishëm, i cili tani po shkëlqen dhe luan në këtë Serie A, por nuk e konsiderova të aftë për të luajtur futboll,” zbuloi Pulcini për ‘Il Messaggero’. Lojtari u ekzaminua tri herë në klinika të ndryshme, sepse drejtori sportiv i atëhershëm, Igli Tare, e dëshironte me çdo kusht, por vendimi im mbeti i pandryshuar”.
Duke folur për rastin e Bove, Pulcini përjashtoi mundësinë e një “krize epileptike të papritur, nëse ai nuk e kishte përjetuar më parë. Një problem i tillë, me një specialist dhe një procedurë të saktë, mund të mbahet lehtësisht nën kontroll. Nëse zbulohen aritmi, do të nevojitet një vlerësim i mëtejshëm përmes testeve të përpjekjes, cikloergometrit, elektrokardiogramës dhe skanerit koronar, si dhe rezonancës magnetike kardiake.”
Ndihma e shpejtë, nga fusha në spital për 13 minuta
Çfarë ndodh nëse rezultatet e testeve janë negative? “Ai mund të rrezikojë të mos luajë më në Serie A, por vetëm në disa kampionate jashtë vendit. Megjithatë, më duket e çuditshme që këto probleme nuk janë zbuluar më parë gjatë ekzaminimeve me Romën. Gjithçka varet nga vlerësimet subjektive të mjekëve dhe përvoja e tyre.”
Ndërhyrja e ‘ekspertit’ Cataldi
Bove duhet të falënderojë edhe shokun e tij të skuadrës, Danilo Cataldi, i cili i shpëtoi jetën me një manovër të mësuar te Lazio.
“Lazio i ka mësuar atij ato teknika të ndihmës së parë, që janë pasuri kulturore për të gjithë lojtarët e klubit. Danilo ka një certifikatë ndërkombëtare të ‘ACLS American Heart Association’ për të ndihmuar njerëzit në çdo situatë emergjence. Lazio ishte klubi i parë në Itali që organizoi këto kurse të rianimimit kardiopulmonar me përdorimin e defibrilatorit.
Ne filluam në vitin 2018 dhe i përsërisim çdo dy vjet për të përforcuar teknikat dhe për të trajnuar çdo lojtar të ri. Shoqata jonë u ka dhuruar lojtarëve defibrilatorë, përfshirë atë që skuadra mban në autobus gjatë transfertave. Përveç kësaj, bëmë që Lotito të blinte një pajisje kardiologjike të quajtur Sistemi SDS (Sudden Death Screening), që parashikon, deri dhjetë vjet më parë, vdekjen e papritur në fushë. Është thelbësore që të gjitha skuadrat të angazhohen për ta pasur atë,” përfundoi mjeku i Lazios./Tema