back to top
19.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Mars, 2026
spot_img
KreuAktualitetSocialeIKMT “ultimatum” bizneseve në Golem e Qerret

IKMT “ultimatum” bizneseve në Golem e Qerret

Kryeinspektori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Afrim Qendro, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Kavajës, Fisnik Qosja, zhvilloi sot një takim me sipërmarrësit që ushtrojnë aktivitet në zonën e Golemit dhe Qerretit, ku u ngritën shqetësime serioze për nivelin e zbatimit të ligjit në kantieret e ndërtimit.

Gjatë fjalës së tij, Qendro bëri të ditur se aktualisht në këtë zonë janë 55 leje ndërtimi në zhvillim, por vetëm dy prej tyre rezultojnë në përputhje me kriteret ligjore pas kontrollit të parë të kryer nga IKMT. Pjesa tjetër e objekteve u vlerësuan si problematike, duke u klasifikuar në nivele “keq” ose “shumë keq”.

“Është e pafalshme që turizmi në këtë zonë të dëmtohet nga 55 kantiere. Fakti që vetëm dy biznese janë në përputhje me ligjin tregon se kjo është e arritshme për të gjithë,” u shpreh kryeinspektori, duke u bërë thirrje sipërmarrësve të marrin masa të menjëhershme për përmirësim.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëjetesës me komunitetin dhe turistët që frekuentojnë zonën e Golemit, Qerretit dhe Kavajës, duke nënvizuar se siguria dhe standardet janë detyrim për çdo subjekt.

Në vijim, Qendro kritikoi edhe punën e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Kavajës, duke theksuar mungesën e reagimit në kohë ndaj problematikave në terren.

“Po t’i kishit bërë detyrat siç duhet, nuk do të ishim sot këtu. Duhet të jeni në lartësinë e detyrës,” u shpreh ai.

Në përfundim, kryeinspektori paralajmëroi se javën e ardhshme do të nisë një rikontroll i plotë në të gjitha kantieret e zonës. Subjektet që nuk do të kenë përmbushur detyrimet ligjore dhe të sigurisë teknike do të përballen me masa të ashpra, sipas parashikimeve ligjore.

“Po ju japim një afat të mjaftueshëm. Nëse nuk reagoni, nuk do të ketë tolerancë për askënd,” përfundoi Qendro.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat