Avokati Lulzim Alushaj ka kritikuar funksionimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD), duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e këtij institucioni dhe përdorimin e buxhetit publik.
Sipas analizës së Alushajt, për vitin 2024 ILD ka shpenzuar rreth 4 milion euro për të kryer vetëm 11 procedime disiplinore ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe 6 inspektime tematike, ndërsa janë trajtuar gjithsej 1,374 ankesa nga qytetarët.
“Realiteti i qytetarëve nuk përputhet me rezultatet e ILD-së”, shkruan Alushaj, duke pyetur: “Për çfarë na duhet ky institucion, kur konsumohet 4 milion euro dhe prodhohen kaq pak procedime?”.
Avokati shton se ky raport tregon një hendek të madh mes pritshmërive për reformën në drejtësi dhe realitetit të performancës së ILD-së, duke nënvizuar nevojën për transparencë dhe efektivitet më të lartë në trajtimin e ankesave dhe hetimet disiplinore.




