Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) nuk mori sot një vendim për kërkesën e Ilir Metës për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë. Seanca u shty për javën tjetër, pasi gjyqtari shpalli moskompetencën.
Seanca e sotme u zhvillua pas kërkesës së paraqitur nga avokatët e Metës më 6 gusht, të cilët argumentuan se hetimet janë mbyllur dhe dosja ka kaluar për gjykim, ndaj nuk ekziston më rreziku që ai të prishë provat.
Gjyqtari Erjon Bani shpalli moskompetencën për të vendosur mbi kërkesën, duke theksuar se nuk ka qenë gjyqtari i çështjes, por vetëm gjyqtar i gatshëm. Kërkesa për moskompetencë u bë nga avokati Kujtim Cakrani.
Në seancë nuk ishte i pranishëm Ilir Meta dhe mungonin edhe tre prokurorët e çështjes Altin Dumani, Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Vendimi për kërkesën e Metës pritet të shqyrtohet javën e ardhshme.