Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka parë sërish të refuzohet kërkesa për zëvendësimin e masës së sigurisë nga paraburgimi në një garanci pasurore.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi për mediat se Meta nuk mund të ofronte garanci pasi, sipas tij, nuk disponon pasuri personale, ndërsa Cakrani vetë kishte shprehur gatishmërinë të përdorte pronat e tij për të përmbushur këtë kriter.
“Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata. Besoj te gjykata, menduam që do nisej viti mbarë duke dhënë një të drejtë ligjore për të vijuar gjykimin në gjendje të lirë”, tha avokati Cakrani.
Ai shtoi se Meta nuk e beson vendimin e gjykatës dhe se rrëzimi i kërkesës nuk ka pasur bazë ligjore. “Kemi bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të burgjeve. Jemi në betejë dhe këtë betejë do e fitojmë”, u shpreh Cakrani.



