Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nuk heq dorë nga beteja ligjore për ndryshimin e masës së sigurisë, duke paraqitur sërish rekurs në Gjykatën e Lartë.
Burime nga organet e drejtësisë bëjnë me dije se Meta kërkon rishqyrtimin e vendimit që e ka lënë në paraburgim, duke pretenduar se masa e dhënë është e paarsyeshme dhe e tepruar.
Më herët, një rekurs i paraqitur nga avokatët e tij ishte rrëzuar, duke bërë që Meta të mbetej pas hekurave.
Ndërkohë, nesër pritet një seancë e rëndësishme në Gjykatën Kushtetuese, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për shfuqizimin e masës së sigurisë.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa po gjykohet në seancë paraprake pranë Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Çështja e tij është një nga më të ndjekurat e momentit, pasi përfshin hetime të thelluara të SPAK-ut mbi pasuritë dhe transaksionet e ish-presidentit.



                                    