Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për të lënë në fuqi masën e arrestit ndaj Ilir Metës, ka ardhur një reagim i ashpër nga kreu i Partisë së Lirisë, i cili akuzon drejtësinë për veprim politik dhe të kontrolluar nga mazhoranca.
Në një postim në Facebook, Meta e konsideron procesin si një farsë me regji të drejtuar nga mazhoranca dhe SPAK, duke shtuar se “akuzat formulohen nga tribunat e Rilindjes”.
“Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku, afërmendsh, akuzat formulohen nga tribunat e ‘Rilindjes'”, shkruan Meta.
“Farsa do të shpartallohet në Strasburg”
Meta paralajmëroi se do të ndjekë rrugën ligjore për të hedhur poshtë këtë vendim, përfshirë edhe ankimimin në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, duke thënë:
“Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut, por edhe në debatin publik”.
Konferencë për mediat nesër në orën 11:00
Meta fton gazetarët në një konferencë virtuale për mediat, që do të zhvillohet nesër në orën 11:00, përmes telefonit të Sekretarit të Përgjithshëm të PL-së, Tedi Blushi.
“Nesër në ora 11:00, përmes telefonit të z. Blushi, i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live.
Meta e mbyll reagimin e tij me një mesazh sfidues ndaj drejtësisë dhe mazhorancës:
“Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë.”