Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar pas kalimit të Manjola Nikollos, ish-kryetare e degës së PD-së në Sarandë, në radhët e pushtetit vendor.
Ky reagim vjen pasi Nikollo, tashmë nënkryetare e Bashkisë së Sarandës, akuzoi publikisht Zhupën për ndërhyrje dhe ndikim në procesin e primareve të PD-së, çka sipas saj e detyroi të dorëhiqej nga gara dhe nga drejtimi i degës lokale.
Në vend të një deklarate direkte, Zhupa ka zgjedhur të shpërndajë në rrjete sociale një reagim të kryetarit aktual të PD-së në Sarandë, Shpëtim Ahmeti, i cili e ka komentuar kalimin e Nikollos si një veprim për interes personal.
Ahmeti, në postimin e tij të gjatë, e përshkruan lëvizjen e Nikollos si “kalimin e ylberit politik”, që sipas tij i shërbeu vetëm për të marrë vëmendje për një ditë dhe për të siguruar postin e nënkryetares së bashkisë.
“Ra një maskë, nuk ndodhi ndonjë gjë për t’u çuditur. Ajo që për vite me radhë kishte demaskuar socialistë e afera në Sarandë, shkoi në stanin që prodhon këtë ‘bulmet’,” – shkruan Ahmeti në postimin e shpërndarë nga Zhupa.
Në të njëjtin reagim, Ahmeti e akuzon Nikollon se është bashkuar me pushtetin për interes personal, duke e cilësuar vendimin e saj si një tradhti ndaj opozitës dhe ndaj qytetarëve demokratë të Sarandës.
“Pas një stërmundimi sfilitës duke tundur flamurin e PD-së, e bindi veten se nuk kishte më kuptim të rrinte pas maskës. Tundimit për një karrige nuk mund t’i thoshte ‘jo’. Nga hiçi, është mirë dhe kaq,” – shton ai me tone ironike.
Ahmeti mbyll reagimin e tij duke thënë se PD në Sarandë do të vazhdojë të jetë një forcë opozitare e qartë dhe e pandikuar nga “largime të tilla për përfitime personale”.
Ky reagim i ashpër, i shpërndarë nga Ina Zhupa, shihet si një qëndrim i qartë i deputetes ndaj akuzave të Manjola Nikollos dhe ndaj kalimeve politike drejt pushtetit vendor socialist.



