back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 12 Mars, 2025
spot_img
KreuDrejtësiaInceneratori i Tiranës/ GJKKO dënon Alqi Bllakon

Inceneratori i Tiranës/ GJKKO dënon Alqi Bllakon

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me 4 vite burg ish-deputetin e Partisë Socialsite, Alqi Bllakon, lidhur me dosjen për Inceneratorin e Tiranës.

Mesditën e kësaj të marte GJKKO ka vendosur dënimin me 4 vite burg për ish-deputetin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar ai do të vuajë 2 vite e 8 muaj burg.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti SPAK kërkoi dënimin me 5 vite burg për ish-deputetin socialisti Alqi Bllako. Ish-deputeti akuzohet për konsumimin e veprës penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” në dosjen e Inceneratorit të Tiranës.

Në pretencën e dhënë SPAK kërkon që i pandehuri Bllako të dënohet me 5 vite burgim si dhe t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite nga përfundimi i dënimit.

Por, GJKKO vendosi këtë të martë ta dënonte me 4 vite burg pasi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, një pagesë prej 120 mijë eurosh nga kompania e Klodian Zotos për fabrikën e birrës së babait të ish-deputetit të PS-së, si dhe punësimi po nga biznesmeni Klodian Zoto si këshilltar i jashtëm i Vladimir Bezhanit me ndikim të Bllakos.

Njoftimi:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur
pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket
procedimit penal nr. 255/2 të vitit 2020, në ngarkim të të pandehurit Alqi Bllako, i
akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë
shtetërore ose i të zgjedhurve vendorë”, dy herë, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim
të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e
Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Flora Hajredinaj, Flojera Davidhi
dhe Erjon Bani, me vendimin Nr. 22, datë 11.03.2025 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Bllako, për kryerjen e veprës penale
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe në bazë të
nenit 259 (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr.43, datë 23.03.2021) të Kodit
Penal, dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Alqi Bllako, për kryerjen e veprës penale
“Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe në bazë të
nenit 259 (para ndryshimeve të pësuara me ligjin nr.43, datë 23.03.2021) të Kodit
Penal, dënimin e tij me 3(tre) vjet e 6(gjashtë) muaj burgim.

Në bashkim të dënimeve, sipas nenit 55 paragrafi 1 të Kodit Penal, dënimin e të
pandehurit Alqi Bllako me një dënim të vetëm me 4 (katër) vjet burgim.

Në bazë të nenit 406 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Alqi
Bllako i ulet 1/3 e dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe
përfundimisht dënohet 2(dy) vjet e 8(tetë) muaj burgim.

Vuajtja e dënimit fillon nga dita e arrestimit datë 09.12.2023, dhe të kryhet në një
burg të sigurisë së zakonshme.

Heqjen e së drejtës së të pandehurit Alqi Bllako për të ushtruar funksione publike
për një kohë prej 5 (pesë) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi 2, të Kodit Penal.

Shpenzimet proceduriale, ato të hetimit paraprak në shumën **** Lek dhe të
gjykimit të çështjes, sipas formularit bashkëgjitur këtij vendimi, i ngarkohen të
pandehurit Alqi Bllako.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 ditëve nga e nesërmja e
komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit per
Korrupsionin dhe krimin e Organizuar.

    spot_img
    ARTIKUJ TË NGJASHËM
    - Advertisment -spot_img

    Më të Lexuarat