Prej pesë ditësh, fusha e mbetjeve urbane në Elbasan digjet në thellësi, duke lëshuar tym dhe gazra toksike që kanë mbuluar qytetin dhe zonat përreth. Edhe pse flakët janë shuar në sipërfaqe, vatrat e fshehta brenda mbetjeve vazhdojnë të djegin, duke rrezikuar shëndetin e mijëra qytetarëve.
Temperaturat mbi 40°C po e vështirësojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve dhe emergjencave civile, të cilët po marrin ndihmë edhe nga ushtria me mjete speciale. Situata rëndohet edhe në bashkitë fqinje, ku mbetjet urbane janë lënë rrugëve për shkak të mbylljes së landfillit të Elbasanit.
Dhjetëra banorë protestuan para Prokurorisë dhe Bashkisë së Elbasanit, duke kërkuar përgjegjësi, ndërhyrje të menjëhershme dhe transparencë nga institucionet. Ata paralajmëruan se nuk do të ndalen deri në zgjidhjen e plotë të këtij problemi.
Zjarret në landfillin e Elbasanit kanë qenë të përsëritura në vite, por kjo është hera e parë që situata zgjat kaq shumë dhe ka pasoja të mëdha për mjedisin dhe shëndetin publik.