Redion LULI
Bashkëpunimi për zhvillim global ka hyrë në një epokë transformuese të karakterizuar nga kriza të mbivendosura, duke përfshirë krizën ekonomike, fragmentimin gjeopolitik dhe ndryshimet klimatike. Në këtë sfond, Iniciativa për Zhvillim Global (GDI), e propozuar nga Presidenti Kinez Xi Jinping gjatë Sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator 2021, u shfaq si një vizion alternativ që synonte rigjallërimin e angazhimeve globale për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.
GDI udhëhiqet nga shtatë parime kryesore: parimi “zhvillimi në radhë të parë”, parimi i fokusimit tek nevojat e çdo njeriu (qasje antropocentrike), përfitime gjithëpërfshirëse, zhvillim i nxitur nga inovacioni, harmoni me natyrën, taktika të orientuara drejt veprimit dhe sinergji me mekanizmat ekzistues. Kjo iniciativë është në përputhje të plotë me iniciativa të tjera shumëpalëshe, siç janë Agjenda 2030 e OKB-së, Agjenda 2063 e Bashkimit Afrikan dhe Iniciativa “Një Brez, një Rrugë” (BRI).
GDI përqendrohet në tetë fusha prioritare: reduktimi i varfërisë, siguria ushqimore, reagimi ndaj pandemisë dhe vaksinat, financimi i zhvillimit, zhvillimi i gjelbër dhe i qëndrueshëm, industrializimi, ekonomia digjitale dhe konjeksioni digjital.
Iniciativa për Zhvillim Global është hartuar si një platformë gjithëpërfshirëse dhe jo-përjashtuese për zhvillimin e bashkëpunimit mes vendeve dhe jo si një aleancë gjeopolitike. Ajo thekson bashkëpunimin Jug-Jug dhe paraqitet si një e mirë publike kineze për botën.

Foto: Ministria e Jashtme Kineze
Ndërmjet viteve 2021 dhe 2025, GDI-ja u transformua gradualisht nga një deklaratë politike në një platformë operacionale. Arritjet kryesore përfshijnë krijimin e Grupit të Miqve të GDI-së (2022), lançimin e Fondit Global të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Jug-Jug dhe formimin e një grupi projektesh që përfshin mbi 500 nisma në të gjithë Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Në Afrikë, projektet e GDI janë përqendruar në inovacionin bujqësor dhe përshtatjen ndaj klimës. Në Azinë Juglindore, ato janë fokusuar në arsimin digjital, shëndetin publik dhe energjinë e rinovueshme. Ndërsa në Amerikën Latine, bashkëpunimi përqendrohet në mbrojtjen e mjedisit dhe sistemet e energjisë së rinovueshme.

Foto: Xinhua
Sesionet e trajnimit që përfshijnë 60.000 persona kanë ndihmuar në zhvillimin e burimeve njerëzore në vendet në zhvillim, duke mbuluar të gjitha vendet në Grupin e Miqve të GDI-së. Janë publikuar katër botime të Raportit të Zhvillimit Global dhe është krijuar “Rrjeti Global i Njohurive për Zhvillim” që mbulon ASEAN-in, Afrikën, Azinë Qendrore, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme.
GDI shpesh shihet si plotësuese, por edhe konkurruese me iniciativat e ngjashme të udhëhequra nga Perëndimi, të tilla si Partneriteti për Infrastrukturë dhe Investime Globale (PGII) i G7-ës dhe Porta Globale e BE-së. Ndërsa PGII thekson investimet në infrastrukturë në shkallë të gjerë, GDI përqendrohet në projekte më të vogla, por domethënëse, që përmirësojnë drejtpërdrejt jetesën në vendet në zhvillim.
Duke riafirmuar angazhimin e saj ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke rigjallëruar partneritetin global dhe duke rritur bashkëpunimin ndërkombëtar, Kina ka propozuar një plan veprimi për të ngushtuar hendekun Veri-Jug dhe për të adresuar pabarazitë në zhvillim. Iniciativa për Zhvillim Global bën thirrje për përpjekje të përbashkëta nga vendet e Veriut dhe të Jugut për të ndërtuar një partneritet global zhvillimi të bazuar në solidaritet, barazi, ekuilibër dhe gjithëpërfshirje, në mënyrë që asnjë vend të mos mbetet prapa në zhvillim.

Foto: VCG
Kina e përshkruan kontributin e saj për zhvillim global si kategorikisht të ndryshëm nga ai i donatorëve të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD). Kina synon të dallohet nëpërmjet mbështetjes së fortë në parimet e kulturës kineze, duke përfshirë “idealin e harmonisë universale”. Kina e përshkruan “harmoninë universale” si një besim të rrënjosur thellë në kulturën kineze, i cili kur zbatohet në kuadër të zhvillimit global, nënkupton kultivimin e marrëdhënieve bashkëpunuese dhe të bazuara në respektimin e vendeve të tjera dhe parashikon përpjekjet drejt një të ardhmeje më të mirë dhe të përbashkët për të gjithë komunitetin global. GDI bën thirrje për një bashkëpunim më të fortë dypalësh midis “Veriut dhe Jugut”, duke përdorur “një ton pajtues” në lidhje me tensionet ose konkurrencën që ekzistojnë midis Kinës dhe donatorëve të OECD-së. Në përputhje me parimin e saj thelbësor të “sinergjisë me mekanizmat ekzistues”, GDI nuk ka për qëllim as të zëvendësojë agjendën ekzistuese ndërkombëtare të zhvillimit, as të zbehë Agjendën 2030. Libri i Bardhë i vitit 2021 e paraqet GDI-në (dhe bashkëpunimin kinez për zhvillim në përgjithësi) si një mjet për të mbushur boshllëkun e lënë nga donatorët “tradicionalë”. Ai vë në dukje mungesën e progresit të donatorëve të OECD-së në çështjet e ndryshimeve klimatike dhe mjedisit, si dhe rolin e tyre në përkeqësimin e varfërisë si rezultat i inflacionit të shkaktuar nga përgjigjet e tyre fiskale ndaj COVID-19 – si fusha që mund të kenë nevojë për plotësim.
Iniciativa për Zhvillim Global rendit “prioritizimin e zhvillimit” në krye të shtatë koncepteve dhe parimeve të saj kryesore, gjë që përputhet me nevojat e kohës dhe ka marrë njohje të gjerë dhe mbështetje aktive nga bashkësia ndërkombëtare. Më shumë se 130 vende dhe shumë organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, kanë mbështetur dhe po marrin pjesë në realizimin e qëllimeve të GDI. Përveç kësaj, më shumë se 80 vende i janë bashkuar Grupit të Miqve të GDI-së.
Kina po i kushton një rëndësi të veçantë multilateralizmit, bashkëpunimit dhe konsensusit përmes GDI-së. Kina sinjalizon “mbështetjen e saj të fortë” të multilateralizmit dhe qëllimin e saj për të rritur kontributet financiare për organizatat ndërkombëtare në Librin e Bardhë të vitit 2021.
Kina ka promovuar gjithashtu një numër të madh projektesh “në shkallë të vogël, por me ndikim” në kuadër të GDI-së për të krijuar mundësi arsimimi dhe punësimi në të gjithë botën, të tilla si mësimdhënia e aftësive teknike për të rinjtë e Taxhikistanit përmes projektit “Luban Workshop” dhe ndihma ndaj grave etiopiane për të filluar biznese me iniciativën “zëvendësoni plastikën me bambu”.

Foto: VCG
Në kuadër të zbatimit të GDI-së, Kina ka rritur mbështetjen për Fondin e Zhvillimit Global dhe Bashkëpunimit Jug-Jug, duke e rritur kapitalin e tij në 4 miliardë dollarë amerikanë. Numri i përgjithshëm i projekteve të zhvillimit global të krijuara ka tejkaluar shifrën 1000, me mbi 500 projekte të përfunduara ose aktualisht në zbatim. Në bashkëpunimin Jug-Jug, Kina nuk vendos kurrë kushte politike dhe vazhdimisht ofron mbështetje të sinqertë për vendet në zhvillim, për të rritur aftësitë e tyre të vetëzhvillimit, ndërkohë që eksploron vazhdimisht fusha dhe metoda të reja për bashkëpunim. Kina ishte e para që mbështeti në mënyrë të qartë anëtarësimin e Bashkimit Afrikan në Grupin e 20-ës, duke bërë thirrje për përfaqësim më të madh të vendeve në zhvillim në organet globale vendimmarrëse. Gjithashtu, në kuadër të GDI-së, ajo mbetet e përkushtuar për zhvillimin dhe përmirësimin e kornizave të bashkëpunimit shumëpalësh, siç janë BRICS dhe Organizata e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), për të forcuar zërin e vendeve në zhvillim në çështjet ndërkombëtare.
Angazhimet e marra nga Kina në dialogun e BRICS dhe Raporti i Zhvillimit Global që i mbështet ato sugjerojnë se kontributi i Kinës në bashkëpunimin ndërkombëtar për zhvillim vazhdon të rritet nën drejtimin e Presidentit Xi. Prandaj, mbetet e rëndësishme që pjesa tjetër e komunitetit global të kuptojë perspektivat dhe prioritetet e Kinës për zhvillim dhe të eksplorojë mundësitë për të punuar së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta. Kina mbetet e përkushtuar fuqimisht për ndërtimin e partneriteteve globale në ndjekje të zhvillimit të qëndrueshëm, që do të thotë se ka të ngjarë të ketë edhe më shumë mundësi për donatorët e OECD-së dhe organizmave të tjerë shumëpalësh për të bashkëpunuar në vitet në vijim.
Duke iu referuar të ardhmes, qëndrueshmëria e GDI-së do të varet nga thellimi i multilateralizmit, rritja e transparencës, diversifikimi i financimit dhe integrimi i agjendave të gjelbra dhe digjitale. Nëse këto masa zbatohen, GDI-ja mund të evoluojë në një platformë për zhvillim global gjithëpërfshirës, duke u kthyer në një urë lidhëse të paradigmave të bashkëpunimit Veri-Jug dhe Jug-Jug.



