Çmimet e mallrave të importuara në Shqipëri kanë shënuar një rënie të lehtë në fund të vitit 2025, të ndikuara kryesisht nga ulja e kostove në sektorin e energjisë dhe në disa degë të industrisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e katërt të vitit 2025 arriti në nivelin 107.4, duke regjistruar një rënie prej 0.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Rënia vjetore është ndikuar kryesisht nga ulja e çmimeve në sektorin e energjisë elektrike dhe gazit me 4.1%. Po ashtu, ndikim në këtë tendencë kanë pasur edhe sektorët e furnizimit me ujë, menaxhimit të mbetjeve dhe industria nxjerrëse.
Ndërkohë, industria përpunuese, e cila përbën rreth 94% të totalit të importeve, shënoi një rënie të lehtë prej 0.3%. Brenda këtij sektori, uljet më të ndjeshme të çmimeve u regjistruan në metalurgji, në prodhimin e produkteve të kauçukut si dhe në sektorin e tekstileve.
Megjithatë, disa kategori produktesh kanë shënuar rritje çmimesh gjatë kësaj periudhe. Sipas të dhënave, rritje janë regjistruar tek produktet e duhanit, mobiljet si dhe në aktivitetet e shtypshkrimit.
Në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025, çmimet e importit kanë pasur vetëm luhatje të vogla. Ulje janë vërejtur në sektorët e furnizimit me ujë dhe menaxhimit të mbetjeve, në energji dhe në industrinë nxjerrëse, ndërsa industria përpunuese ka shënuar një rritje minimale. Kjo rritje lidhet kryesisht me përpunimin e produkteve ushqimore dhe prodhimin e mobiljeve.
Të dhënat tregojnë se në fund të vitit 2025 ka pasur një stabilizim të lehtë të kostove për produktet e importuara, ndërsa lëvizjet e çmimeve në sektorët kryesorë industrialë kanë mbetur të moderuara.



