back to top
15.5 C
Tirana
E enjte, 30 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitet“Integrimi në BE nisi me Berishën”/ Thomas Kunze: Gjermania qëndron në krah...

“Integrimi në BE nisi me Berishën”/ Thomas Kunze: Gjermania qëndron në krah të PD-së

Përfaqësuesi i Fondacionit “Konrad Adenauer” (KAS), Thomas Kunze, ka vlerësuar rolin historik të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe të Partisë Demokratike në nisjen e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se Gjermania dhe fondacioni që ai përfaqëson do të vazhdojnë të mbështesin PD-në dhe deputetët e saj në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.

Në fjalën e mbajtur gjatë takimit me deputetët e rinj të opozitës, Kunze u shpreh se fondacioni gjerman ka qenë një mbështetës i palëkundur i demokracisë shqiptare dhe i orientimit të vendit drejt BE-së, që prej qeverisjes së parë të Sali Berishës.

“I nderuar doktor Berisha, të nderuar deputetë,
si fillim dua të uroj deputetët e rinj për zgjedhjen e tyre në parlament.
Fondacioni Konrad Adenauer, por edhe Gjermania, e kanë ndjekur rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së prej shumë vitesh dhe e mbështesin atë.
Procesi i Shqipërisë në BE ka filluar kur zoti Berisha ka qenë kryeministër, prandaj dhe partia juaj është shumë e lidhur ngushtë me këtë proces,” – tha Kunze.

Përfaqësuesi i KAS-it theksoi se Partia Demokratike është e lidhur ngushtë me familjen Popullore Europiane (EPP) dhe se fondacioni do të vazhdojë të ofrojë mbështetje konkrete për ngritjen profesionale dhe institucionale të saj.

“Ne si fondacion e kemi mbështetur me zemër procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, si edhe kontributin e Partisë Demokratike dhe deputetëve tuaj gjatë gjithë procesit.
PD është pjesë e familjes Popullore Europiane, dhe ne e mbështesim shumë trajnimin dhe përmbushjen e kritereve që duhet të bëjë çdo deputet për të qenë i aftë për të kryer detyrën e tij,” – deklaroi Kunze.

Ai shtoi se Fondacioni Konrad Adenauer dhe Gjermania do të qëndrojnë përkrah Partisë Demokratike në përpjekjet për forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin e parlamentit dhe afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë me standardet europiane.

“Për çdo gjë që ju do të keni nevojë, ne do të jemi këtu – qoftë për deputetët e rinj, por edhe për nevojat që ka partia gjatë këtij procesi,” – përfundoi Kunze, duke siguruar mbështetjen e vazhdueshme të KAS-it për PD-në.

Kunze kujtoi gjithashtu se rrugëtimi europian i Shqipërisë nisi gjatë qeverisjes së parë të Berishës, kur vendi ndërmori hapat e parë drejt stabilitetit demokratik dhe hapjes ndaj institucioneve europiane.
Sipas tij, ky kontribut është pjesë e trashëgimisë historike të Partisë Demokratike, e cila mbetet një forcë thelbësore në procesin e integrimit.

“Procesi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është i lidhur ngushtë me punën dhe vizionin e Partisë Demokratike.
Ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo përpjekje për forcimin e demokracisë dhe afrimin e Shqipërisë me standardet e BE-së,” – tha Kunze.

Në përfundim të fjalës së tij, përfaqësuesi gjerman përshëndeti bashkëpunimin e gjatë mes KAS-it dhe PD-së, duke shprehur besimin se bashkëpunimi mes Gjermanisë dhe opozitës shqiptare do të vazhdojë të thellohet në vitet në vijim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat