back to top
12.5 C
Tirana
E enjte, 16 Tetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetIntervistë me ambasadorin e Turqisë/ “Nga Sami Frashëri te Galatasaray, historia që...

Intervistë me ambasadorin e Turqisë/ “Nga Sami Frashëri te Galatasaray, historia që bashkon dy vendet”

“Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Türkiyes mbeten një nga bashkëpunimet më të forta dhe strategjike në rajonin e Ballkanit, të bazuara mbi historinë e përbashkët, vlerat kulturore dhe interesat e përbashkëta”. Në një intervistë shteruese për ARGUMENTUM.al, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, SH.T.Z. Tayyar Kagan Atay shpreh krenarinë për historinë e gjatë dhe të pasur që lidh dy vende, si dhe për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet dypalëshe. Ai thekson se përvjetori i 102-të i marrëdhënieve diplomatike është dëshmi e një partneriteti të fuqishëm, të ndërtuar mbi trashëgiminë e përbashkët, lidhjet njerëzore dhe përkushtimin ndaj stabilitetit rajonal.

Ambasadori thekson se “Turqia dhe Shqipëria janë aleatë të fortë dhe miq të ngushtë me një histori bashkëpunimi dhe mirëkuptimi,” duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të këtij partneriteti strategjik. Ai vë në pah rolin e bashkëpunimit ekonomik si shtyllën kryesore të marrëdhënieve dypalëshe. Në fushën ekonomike, Turqia është partneri i katërt më i madh tregtar i Shqipërisë, me një vëllim shkëmbimesh prej mbi 1 miliardë dollarë në vitin 2024 dhe synimin për të arritur 2 miliardë në të ardhmen e afërt. Investimet turke në Shqipëri arrijnë rreth 3.5 miliardë dollarë, duke përfshirë sektorë si infrastruktura, energjia, bankat dhe turizmi. Hapja e degës së Ziraat Bank në Tiranë në vitin 2026 simbolizon besimin në potencialin ekonomik të Shqipërisë.

“Ndërsa shifrat ekonomike japin një matje të rëndësishme të angazhimit tonë, ato nuk reflektojnë të gjithë pamjen. Për këtë arsye, dëshiroj të theksoj disa nga investimet e Turqisë në Shqipëri gjatë dekadës së fundit që kanë pasur një ndikim të prekshëm në jetën e përditshme të shqiptarëve. Këto përfshijnë ndërtimin e Spitalit Memorial të Miqësisë Fier, projektin e banesave të TİKA-s pas tërmeteve në Shqipëri, hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, restaurimin e strukturave historike të periudhës osmane, si dhe shumë projekte të tjera zhvillimore, arsimore dhe socio-kulturore të zbatuara nga TİKA. Të tilla iniciativa tregojnë se angazhimi i Turqisë në Shqipëri shkon përtej tregtisë, duke përfshirë zhvillimin social, ruajtjen kulturore të trashëgimisë së përbashkët historike dhe investime me fokus tek njerëzit”, theksoi ambasadori në këtë intervistë.

Në fushën e politikës rajonale, ambasadori evidenton përkushtimin e Turqisë për stabilitet dhe paqe në Ballkan, duke theksuar se “Shqipëria është një partner i rëndësishëm në rajon dhe ne mbështesim fuqimisht rrugën e saj drejt integrimit evropian.”

Ambasadori nënvizon përkushtimin e Turqisë për paqe dhe stabilitet në Ballkan, duke mbështetur integrimin evropian dhe euroatlantik të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. Ai shpreh rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë në kuadër të NATO-s dhe organizatave rajonale si SEECP dhe BSEC. Turqia e konsideron Shqipërinë një partner kyç për përballimin e sfidave rajonale.

Në vitin 2026, Türkiye do të presë Samitin e NATO-s, i cili do të ndiqet nga Samiti i NATO-s në Shqipëri në vitin 2027. Koordinimi dhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve tona në përgatitjen dhe realizimin e këtyre samiteve kyçe përbën një tjetër dimension të bashkëpunimit konkret dypalësh.

Gjithashtu, ai nënvizon rolin e Turqisë si një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit, duke theksuar nevojën për dialog dhe bashkëpunim ndërkombëtar në kohën e sfidave globale.

“Turqia ka një rol të veçantë si ndërmjetëse dhe bashkëpunuese në skenën globale, duke lidhur kultura dhe interesa nga Lindja në Perëndim dhe duke promovuar dialogun ndërkombëtar si rruga drejt paqes dhe prosperitetit.”

Në këtë kontekst, roli i Turqisë në Ballkan shikohet jo vetëm si një faktor stabiliteti, por edhe si një mbështetje e fuqishme për bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve dhe në avancimin e projekteve strategjike që pasurojnë perspektivat e zhvillimit të përbashkët, thekson Ambasadori i Turqisë në Tiranë, SH.T.Z. Tayyar Kagan Atay në intervisten e mëposhtme:

Intervistoi: Marjana DODA

                      Kryeredaktore

-I nderuar Ambasador, së pari ju falënderoj që pranoni këtë intervistë ekskluzive për Argumentum.al, veçanërisht në prag të 102-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Türkiyes dhe Republikës së Shqipërisë. Si do ta përshkruanit gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona? Cilat janë momentet kyçe që po formësojnë dhe thellojnë këtë partneritet strategjik?

SH.T.Z. Tayyar Kagan Atay: Faleminderit që gjetët kohë për të zhvilluar këtë intervistë. Uroj që lexuesit tuaj ta shijojnë këtë bisedë të këndshme.

Le të fillojmë duke rikujtuar se marrëdhëniet shqiptaro-turke shtrihen përtej marrëdhënieve diplomatike dhe kanë shekuj histori të përbashkët. E kaluara jonë e përbashkët gjatë periudhës osmane përbën një vlerë të çmuar për të dy kombet. Turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, dhe lidhjet tona të thella shoqërore e kulturore, të cilat burojnë nga kjo bashkëjetesë shumë-shekullore, e bëjnë marrëdhënien shqiptaro-turke të veçantë dhe unike.

Duke folur për historinë tonë të përbashkët, sjell në vëmendje se shqiptarët kanë mbajtur poste të rëndësishme në nivel shtetëror gjatë periudhës osmane. Shumë funksionarë të lartë me origjinë shqiptare kanë shërbyer si vezirë të mëdhenj, një post që në atë kohë përfaqësonte Kryeministrin. Dihet se rreth 35 Vezirë të Mëdhenj kanë qenë me origjinë shqiptare.

Në këtë pikë, dua të përmend disa figura të njohura që kanë lënë gjurmë të thella në historinë dhe letërsinë e të dy kombeve. Ky element është një nga faktorët që formëson marrëdhëniet e ngrohta që gëzojmë sot me Shqipërinë.
Një nga mjeshtrat dhe reformatorët më të mëdhenj të gjuhëve turke dhe shqipe, Shemsedin Sami (ose Sami Frashëri në shqip), është autori i romanit të parë turk Taaşşuk-ı Talat ve Fitnat, i fjalorit të parë turqisht-turqisht Kamus-ı Türki dhe i enciklopedisë së parë turke Kamus-ul Alam.
Djali i tij, Ali Sami Yen, është themeluesi i klubit të futbollit Galatasaray, një prej skuadrave më të njohura sportive në Evropë.
Mehmet Akif Ersoy, poet, shkrimtar, akademik, politikan dhe autor i Himnit Kombëtar të Turqisë, është një vlerë e përbashkët e kombeve turk dhe shqiptar.

Për më tepër, lagjja në Stamboll ku janë vendosur shqiptarët që nga shekulli XV njihet sot si Arnavutköy (“Fshati i Shqiptarëve”). Gjurmë të shumta të historisë dhe kulturës sonë të përbashkët gjenden gjithashtu në Shqipëri – në Tiranë, Elbasan, Korçë, Krujë, Berat, Shkodër, Gjirokastër, Vlorë – pothuajse në çdo cep të vendit.
Është përgjegjësi e përbashkët e jona ta përcjellim këtë trashëgimi historike të përbashkët, që na është lënë amanet nga historia, te brezat e ardhshëm.
Në këtë kuadër, jemi të kënaqur që shumë projekte restaurimi janë realizuar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – e njohur si TİKA.

Në pak fjalë, përqafimi i së kaluarës gjithmonë ndihmon për të përgatitur të ardhmen. Asnjë ambasador tjetër në Tiranë nuk ka një avantazh të tillë si unë për të shfrytëzuar dhe ndërtuar mbi një trashëgimi të tillë. E konsiderojmë veten me fat në këtë drejtim dhe përpiqemi me përkushtim ta ruajmë dhe të vlerësojmë atë. Jemi të kënaqur dhe krenarë që shohim se miqësia dhe lidhjet tona të ngushta, të krijuara gjatë më shumë se 600 viteve, po forcohen dita-ditës.

Përvjetori i 102-të i marrëdhënieve tona diplomatike që po afrohet, është një dëshmi e qartë e marrëdhënieve në rritje dhe thellim midis Turqisë dhe Shqipërisë. Dy kombet tona kanë kultivuar një partneritet të fuqizuar nga historia dhe trashëgimia e përbashkët, lidhjet njerëzore, përkushtimi ndaj stabilitetit rajonal, si dhe bashkëpunimi ynë brenda aleancës së NATO-s. Ndërsa Turqia dhe Shqipëria kanë qenë gjithmonë aleatë dhe partnerë të ngushtë, marrëdhëniet tona sot janë thelluar ndjeshëm në të gjitha fushat, që nga dialogu politik e deri te bashkëpunimi ekonomik dhe shkëmbimet kulturore. Në këtë kuadër, dialogu i vazhdueshëm dhe i drejtpërdrejtë midis Presidentit Erdoğan dhe Kryeministrit Rama ka luajtur një rol kyç në avancimin e bashkëpunimit tonë.

Një zhvillim i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe ishte përcaktimi i Turqisë si një nga pesë partnerët strategjikë të Shqipërisë në vitin 2013. Ky përcaktim u forcua më tej gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit Edi Rama në Turqi në vitin 2021, ku u nënshkrua një “Deklaratë e Përbashkët Politike” që ngriti marrëdhëniet tona në nivelin e një “Partneriteti Strategjik” zyrtar. Me fjalë të tjera, partneriteti ynë strategjik u formalizua. Në praktikë, ky formalizim krijoi një mekanizëm Këshilli Bashkëpunimi në Nivel të Lartë, i cili mbledh periodikisht udhëheqësit dhe ministrat përkatës për të shqyrtuar dhe avancuar të gjitha aspektet e bashkëpunimit dypalësh. Deri më tani, janë mbajtur dy mbledhje të këtij Këshilli në Ankara dhe Tiranë gjatë vitit 2024. Takimi i tretë do të zhvillohet së shpejti në Ankara gjatë vizitës së ardhshme të Kryeministrit Rama në Turqi.

SH.T.Z. Tayyar Kagan Atay
Ambasador i Republikës së Turqisë në Shqipëri
Marjana Doda
Kryeredaktore, ARGUMENTUM.al

-Zoti Ambasador, Shqipëria dhe Türkiye janë cilësuar shpesh si partnerë strategjikë. Duke parë takimet e shpeshta mes drejtuesve të dy vendeve dhe bashkëpunimin e ngushtë në nivelet më të larta, çfarë pritshmërish ka Ankaraja nga qeveria ‘Rama 4’ për të çuar përpara këtë marrëdhënie?”

Presidenti Erdoğan dhe Kryeministri Rama gëzojnë një marrëdhënie të ngushtë miqësore, e cila ka shërbyer si një shtytës i rëndësishëm në avancimin e agjendës sonë bilaterale. Gjatë 12 muajve të fundit, Presidenti Erdoğan vizitoi Shqipërinë dy herë brenda një periudhe gjashtë mujore — fillimisht për një vizitë zyrtare më 10 tetor 2024, dhe më pas për të marrë pjesë në Samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian (EPC) më 16 maj 2025. Vullneti i fuqishëm politik në nivel të lartë për thellimin e bashkëpunimit bilateral siguron lehtësira të konsiderueshme për veprimtarinë tonë diplomatike. Presim që ky momentumi të vazhdojë gjatë mandatit të Qeverisë së Katërt Rama, duke ndjekur qëllime konkrete në përforcimin e marrëdhënieve tona me Shqipërinë. Në muajt në vijim, pritet që Kabineti i ri shqiptar të vizitojë Ankara-n për realizimin e takimit të tretë të Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë.

Një nga prioritetet tona të përbashkëta mbetet arritja e një vëllimi tregtar bilateral prej 2 miliardë dollarësh, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushën e investimeve, infrastrukturës dhe sektorëve të tjerë strategjikë. Ekziston gjithashtu potencial i konsiderueshëm për një bashkëpunim më të thellë në fushën e mbrojtjes, ku synojmë të forcojmë lidhjet ekzistuese. Türkiye mbështet aktualisht përpjekjet e modernizimit të Forcave të Armatosura Shqiptare përmes furnizimit me pajisje, dorëzimeve dhe programeve të trajnimit, të cilat mund të pasurohen me projekte të përbashkëta në industrinë e mbrojtjes.

Gjithashtu, shpresojmë në vazhdimësinë e angazhimit të përbashkët në nisma rajonale dhe multilaterale, ku Shqipëria ka luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv. Në vitin që po kalon, Shqipëria organizoi me sukses Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Tiranë. Në vitin 2026, Türkiye do të presë Samitin e NATO-s, i cili do të ndiqet nga Samiti i NATO-s në Shqipëri në vitin 2027. Koordinimi dhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve tona në përgatitjen dhe realizimin e këtyre samiteve kyçe përbën një tjetër dimension të bashkëpunimit konkret dypalësh.

-Turqia është një nga partnerët ekonomikë më të rëndësishëm të Shqipërisë. A mund të na jepni disa shifra konkrete mbi vëllimin e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve? Gjithashtu, cilat janë sektorët kryesorë ku ekzistojnë mundësi më të mëdha për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar

Türkiye ishte partneri i katërt më i madh tregtar i Shqipërisë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2025, duke përbërë rreth 7.0 përqind të vëllimit total tregtar të Shqipërisë. Në këtë periudhë, vëllimi ynë tregtar arriti në afërsisht 550.9 milionë dollarë amerikanë. Nga kjo shumë, 509.4 milionë dollarë përfaqësoheshin nga eksportet turke, ndërsa 41.5 milionë dollarë nga importet. Presim që ky tregues të rritet deri në fund të vitit. Në vitin 2024, vëllimi ynë tregtar arriti në rreth 1.038 miliardë dollarë dhe të dy vendet janë të angazhuara për të arritur objektivin prej 2 miliardë dollarësh në të ardhmen e afërt.

Produktet turke të eksportit në Shqipëri janë kryesisht elektronikë, pjesë makinerish, tekstile, materiale ndërtimi, si dhe hekur dhe çelik. Importet kryesore nga Shqipëria në Turqi përfshijnë metale dhe xehe, metale me ngjyra, makineri gjeneruese të energjisë dhe lëndë të para shtazore, si dhe bimore. Duke marrë parasysh përbërjen e mallrave të tregtuara, ka ende hapësirë ​​për të diversifikuar dhe për të përfshirë teknologji me vlerë të shtuar më të lartë.

– Si e vlerësoni rolin e investimeve turke në Shqipëri në kuadër të zgjerimit të prezencës ekonomike të Turqisë në Ballkan, sidomos pas lajmit per hapjen e degës së Ziraat Bank në Tiranë? Përveç sektorit bankar, a ka plane për investime në projekte strategjike si infrastruktura, energjia apo turizmi?

Hapja e degës së Bankës Ziraat në Tiranë shënon një moment të rëndësishëm në praninë ekonomike të Turqisë në Ballkan. Dega do të jetë plotësisht funksionale që nga viti 2026. Kjo pasqyron besimin e investitorëve turq në tregun dhe potencialin e Shqipërisë. Investimet turke në Shqipëri janë tashmë të konsiderueshme, duke arritur në 3.5 miliardë dollarë amerikanë, me mbi 800 kompani që operojnë në një gamë të gjerë sektorësh, duke përfshirë bankat, minierat, energjinë, transportin ajror, infrastrukturën, shëndetësinë dhe turizmin. Turqia është një nga pesë investitorët kryesorë në Shqipëri. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Turqia u rendit e para midis të gjithë investitorëve të huaj në Shqipëri me investime që arrinin një total prej 89 milionë eurosh. Ngjashëm, në vitin 2024 ishte gjithashtu investitori më i madh në vend duke kontribuar me 257 milionë euro.

Hapja e Degës së Shqipërisë të MÜSİAD, një prej shoqatave më të mëdha të biznesmenëve të Turqisë, vitin e kaluar, vendosi një shenjë të qartë besimi dhe vullneti nga pala turke për të forcuar dhe institucionalizuar më tej lidhjet tona tregtare. Dega MÜSİAD në Shqipëri, në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), do të organizojë Forumin e Investimeve Turqi-Shqipëri më 17 tetor 2025 në Tiranë, i cili do të shërbejë si një platformë për të bashkuar palët e interesuara të sektorit privat dhe për të na lejuar të vlerësojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse lidhjet tona ekonomike në të ardhmen. Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëspresidenti i Turqisë Cevdet Yılmaz do të hapin së bashku Forumin e Investimeve.

Ndërsa shifrat ekonomike japin një matje të rëndësishme të angazhimit tonë, ato nuk reflektojnë të gjithë pamjen. Për këtë arsye, dëshiroj të theksoj disa nga investimet e Turqisë në Shqipëri gjatë dekadës së fundit që kanë pasur një ndikim të prekshëm në jetën e përditshme të shqiptarëve. Këto përfshijnë ndërtimin e Spitalit Memorial të Miqësisë Fier, projektin e banesave të TİKA-s pas tërmeteve në Shqipëri, hapjen e Xhamisë së Namazgjasë, restaurimin e strukturave historike të periudhës osmane, si dhe shumë projekte të tjera zhvillimore, arsimore dhe socio-kulturore të zbatuara nga TİKA. Të tilla iniciativa tregojnë se angazhimi i Turqisë në Shqipëri shkon përtej tregtisë, duke përfshirë zhvillimin social, ruajtjen kulturore të trashëgimisë së përbashkët historike dhe investime me fokus tek njerëzit

– Në kontekstin e ndryshimeve të rëndësishme politike dhe ekonomike në Ballkan, si e shikon Turqia rolin e saj në Shqipëri dhe në rajon? Çfarë objektivash ka për të forcuar stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet vendeve të Ballkanit në afat mesëm dhe afat të gjatë?

 Angazhimi ynë në Ballkan udhëhiqet nga parimet e pronësisë rajonale, përfshirjes dhe respektit për sovranitetin, duke theksuar se vendet e rajonit janë arkitektët kryesorë të së ardhmes së tyre. Në këtë kuadër, dialogu politik i nivelit të lartë, siguria për të gjithë, integrimi ekonomik dhe ruajtja e strukturave shoqërore shumëetnike, shumëkulturore dhe shumëfetare të rajonit përbëjnë shtyllat kryesore të politikës ballkanike të Turqisë.

Vendosja e një paqeje dhe stabiliteti të përhershëm në rajon, ruajtja e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe sigurimi i bashkëpunimit rajonal janë ndër prioritetet tona. Si pjesë e fqinjësisë ballkanike, Turqia luan një rol konstruktiv në Ballkan. Në përpjekjet tona, ne e shohim Shqipërinë si një partner të natyrshëm dhe të fortë dhe përgëzojmë kontributet e rëndësishme të Shqipërisë për të ruajtur paqen e brishtë në rajon.

Arkitektura e re e sigurisë pas luftës në Ukrainë e bëri bashkëpunimin tonë, si dy aktorë të shquar në Ballkan dhe aleatë të NATO-s, edhe më të rëndësishëm. Ne e vlerësojmë mbështetjen konstruktive të Shqipërisë për përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri. Jemi të kënaqur të mirëpresim Togën e Këmbësorisë së Forcave të Armatosura të Shqipërisë në kontingjentin tonë si pjesë e Operacionit EUFOR ALTHEA në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Integrimi evropian dhe euroatlantik i të gjitha vendeve të Ballkanit, pa diskriminim, ka qenë një nga shtyllat kryesore të politikës sonë ballkanike. Ne besojmë se e ardhmja e rajonit, të cilit i përket edhe Turqia, një vend kandidat për në BE, është brenda Bashkimit Evropian. Jemi të kënaqur që zgjerimi është rikthyer në axhendën e BE-së. Ne e përgëzojmë Shqipërinë për progresin e jashtëzakonshëm të negociatave të pranimit me BE-në. Shpresojmë që ky zhvillim pozitiv të përshpejtojë ritmin e përgjithshëm të procesit të zgjerimit të BE-së.

Turqia dhe Shqipëria janë gjithashtu të angazhuara në një bashkëpunim të fortë në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, të tilla si Kombet e Bashkuara, Bashkëpunimi Ekonomik i Detit të Zi (BSEC) dhe Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ne jemi të vendosur të ruajmë solidaritetin tonë me Shqipërinë për të kontribuar në paqen rajonale dhe globale.

 -Si e vlerësoni rolin dhe praninë e Turqisë në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë, veçanërisht në aspektet ekonomike, kulturore dhe ushtarake? Duke pasur parasysh sfidat dhe kërcënimet për stabilitetin rajonal, përfshirë ndikimet dhe qëndrimet e Serbisë, sa ndikon ky angazhim i Turqisë në përmirësimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Ballkan?

Kosova, si dhe Bosnja dhe Hercegovina, mbeten pikat e brishta në rajon. Si të tilla, të dy vendet zënë një vend të veçantë në qasjen rajonale të Turqisë. Në Bosnjë dhe Hercegovinë, tendencat secesioniste përbëjnë kërcënimin më të rëndësishëm për paqen, ndërsa në Kosovë mungesa e përparimit në Procesin e Dialogut Prishtina-Beograd të lehtësuar nga BE-ja mbetet një çështje urgjente.

Turqia është e vendosur të vazhdojë angazhimin e saj dypalësh dhe rajonal përballë këtyre dy vendeve. Qëllimi ynë kryesor është të mbështesim sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Nga një perspektivë politike, Turqia kontribuon në përpjekjet e ndërtimit të shtetit në Kosovë që nga fillimi dhe mbështet integrimin e saj në organizatat euro dhe euroatlantike. Ne gjithashtu promovojmë njohjen ndërkombëtare të Kosovës – Turqia ishte një nga vendet e para që e njohu Kosovën si të tillë në vitin 2008. Ne gjithashtu vazhdojmë të mbështesim Procesin e Dialogut Prishtina-Beograd. Në mënyrë të ngjashme, Turqia mbështet pranimin e Bosnjës dhe Hercegovinës në strukturat euro dhe euroatlantike, ndërsa pozicionohet si një mundësues i dialogut midis Bosnjës dhe Hercegovinës dhe fqinjëve të saj, Serbisë dhe Kroacisë, përmes mekanizmave të konsultimit trepalësh.

Turqia ka dhënë kontribute të konsiderueshme trupash në operacionet e KFOR-it të NATO-s dhe EUFOR Althea për një kohë të gjatë. Në fakt, Turqia është vendi më i madh jo-anëtar i BE-së që kontribuon me trupa në EUFOR Althea. Rimarrja jonë e Komandës së KFOR-it të NATO-s që nga tetori i vitit 2025 pasqyron vullnetin tonë për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

Përtej angazhimit politik dhe kontributeve të sigurisë, angazhimi ekonomik dhe kulturor i Turqisë në rajon plotëson rolin e saj stabilizues në rajon.

-Shkëlqesia Juaj, Turqia ndodhet në një pozicion strategjik si urë lidhëse midis Lindjes dhe Perëndimit dhe ka luajtur rol ndërmjetësues në konflikte të rëndësishme si Ukraina, Siria, Azerbajxhani, dhe gjithashtu është një zë i fuqishëm për Palestinën. Në një botë të polarizuar dhe me interesat shpesh kontradiktore të fuqive të mëdha, a mundet Turqia vërtet të mbajë një qëndrim neutral dhe të luajë rol ndërmjetësues pa krijuar tensione të reja në politikën globale?

Turqia me të vërtetë ka një pozicion strategjik si urë midis Lindjes dhe Perëndimit, që i mundëson të marrë rolin e ndërmjetësit në konflikte në mbarë botën. Ajo nuk pretendon të jetë neutrale në çdo konflikt rajonal; përkundrazi, ajo i afrohet secilës palë në konflikt, edhe nëse janë në luftë, pa paragjykime dhe synon të gjejë një pikë të përbashkët dhe të eksplorojë mënyrat për të ndalur konfliktin në fjalë.

Për shembull, në rastin e Ukrainës, Turqia demonstroi pozicionin e saj unik duke ndërmjetësuar Iniciativën për Drithërat e Detit të Zi dhe duke lehtësuar shkëmbimet e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.

Si një përkrahëse e paqes në Kaukazin e Jugut, Turqia mirëpriti përparimin e fundit drejt një paqeje të qëndrueshme midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Situata në Siri, nga ana tjetër, është e natyrës tjetër. Këtu, sfida është rivendosja e shtetësisë, stabilitetit dhe kohezionit shoqëror pas viteve të konfliktit. Turqia mbështet Sirinë në përpjekjet për të fuqizuar kapacitetet institucionale dhe për të nxitur qeverisje gjithëpërfshirëse, ndërsa në të njëjtën kohë mbetet vigjilente ndaj përpjekjeve për të shfrytëzuar kushtet e brishta në terren dhe për të kërcënuar sigurinë e vet të Turqisë.

Turqia ka qenë një nga vendet më aktive diplomatikisht dhe një nga kritikët më të zëshëm të sulmit dyvjeçar të Izraelit ndaj Gazës. Ajo kërkoi veprime ndërkombëtare dhe bëri thirrje të përsëritura për një zgjidhje me dy shtete. Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe Ministri i Punëve të Jashtme Hakan Fidan kanë dedikuar pjesën më të madhe të kohës dhe energjisë së tyre për të qenë zëri i palestinezëve në çdo forum ndërkombëtar. Këto përpjekje u fokusuan edhe në planin e fundit të paqes së Presidentit Trump për Gazën, duke theksuar se Izraeli duhet të ndalojë sulmet për të siguruar suksesin e këtij plani.

Përpjekjet e ndërmjetësimit të Turqisë shtrihen në fakt shumë përtej fqinjësisë së saj direkte. Turqia ka ndihmuar në lehtësimin e dialogut midis Somalisë dhe Somaliland-it dhe ka qenë kyçe në Deklaratën e Ankarasë midis Etiopisë dhe Somalisë.

– I nderuar Ambasador, duke pasur parasysh sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen vendet tona në dritën e zhvillimeve të ndryshme gjeopolitike globale, si e vlerësoni perspektivën afatgjatë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Turqisë? Sipas jush, cilat janë objektivat kryesorë që dy vendet duhet të ndjekin për të forcuar më tej partneritetin strategjik në dekadat në vijim?

Shqipëria dhe Turqia ndajnë një marrëdhënie të gjatë dhe të qëndrueshme të ndërtuar mbi respekt të ndërsjellë, lidhje historike dhe interesa të përbashkëta rajonale. Duke parë përpara, shoh potencial të konsiderueshëm dhe nevojë për të thelluar Partneritetin tonë Strategjik, veçanërisht duke marrë parasysh zhvillimet në politikën ndërkombëtare. Bota po bëhet gjithnjë e më shumë shumëpolare, konfliktet rajonale po shtohen, dezinformimi po përhapet, dhe ndryshimet klimatike po krijojnë sfida të reja siç janë katastrofat natyrore dhe siguria ushqimore.

Një pjesë e rëndësishme e kapërcimit të këtyre sfidave është puna me partnerë të besueshëm. Besueshmëria është çelësi. Diskursi në diplomaci po ndryshon gjithnjë e më shumë duke favorizuar terma si “friend-shoring” në vend të “off-shoring”. Në këtë kontekst, si dy aleatë të NATO-s dhe kandidatë për BE, dhe vërtet vende vëllazërore, Shqipëria dhe Turqia kanë potencial të madh për të zgjeruar bashkëpunimin dhe Partneritetin Strategjik në dekadën që vjen. Ne tashmë ndajmë një vizion të përbashkët për një të ardhme të begatë në rajonin tonë dhe kemi shprehur vendosmërinë tonë të përbashkët për të konsoliduar më tej Partneritetin tonë Strategjik në të gjitha fushat.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat