back to top
14.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Dhjetor, 2025
spot_img
KreuAktualitetEkonomiaInvestim, jo pagesë/ Si i përdor Evropa kriptomonedhat

Investim, jo pagesë/ Si i përdor Evropa kriptomonedhat

Kriptomonedhat kanë pasur një vit të vështirë gjatë vitit 2025, veçanërisht pas një vale të fortë shitjesh në muajin tetor, kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi me vendosjen e tarifave të reja ndaj Kinës, raporton Euronews. Megjithatë, trendet afatgjata tregojnë se pronësia dhe interesimi për këto asete po vazhdojnë të rriten në të gjithë Evropën.

Më shumë se 90% e personave mbi 18 vjeç në ekonomitë kryesore evropiane janë të informuar për kriptomonedhat. Pavarësisht luhatjeve të çmimeve gjatë vitit 2025, pronësia e aseteve kripto po shënon rritje të qëndrueshme në rajon.

Sipas një ankete të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), 9% e të rriturve në zonën euro zotëronin asete kripto në vitin 2024. Ndër 20 vendet e eurozonës, përqindja e pronësisë varion nga 6% në Holandë dhe Gjermani, deri në 15% në Slloveni, megjithëse diferencat mes vendeve mbeten përgjithësisht modeste.

Pronësia e kriptomonedhave u dyfishua në dy vite

Pronësia e aseteve kripto është rritur pothuajse në çdo vend të eurozonës mes viteve 2022 dhe 2024. Holanda ishte i vetmi vend ku niveli i pronësisë mbeti i pandryshuar, ndërsa për Kroacinë nuk ka të dhëna për vitin 2022. Në rang të eurozonës, pronësia u dyfishua, nga 4% në vitin 2022 në 9% në vitin 2024.

Greqia dhe Lituania shënuan rritjet më të mëdha, secila me nga 10 pikë përqindjeje. Qiproja, Belgjika, Irlanda, Austria, Sllovakia, Sllovenia, Portugalia dhe Italia regjistruan gjithashtu rritje prej 7 pikësh ose më shumë.

James Sullivan, drejtor për riskun dhe përputhshmërinë në BCB Group, tha për Euronews Business se kjo rritje e ndjeshme tregon forcimin e interesit të konsumatorëve evropianë dhe se “dimri i kriptomonedhave” tashmë është një kujtim i largët për publikun.

“Kjo rritje e besimit lidhet me rikthimin ciklik të vrullit të tregjeve globale, por mbi të gjitha me mbrojtjen e konsumatorit që ofron rregullorja ‘Markets in Crypto-Assets’ (MiCA),” u shpreh ai.

MiCA vendos rregulla të unifikuara për tregun e kriptomonedhave në Bashkimin Evropian, duke përfshirë edhe asetet që më parë nuk mbuloheshin nga legjislacioni ekzistues i shërbimeve financiare.

“MiCA sinjalizon se BE-ja po e njeh sektorin si pjesë të tregut kryesor financiar, çka krijon besim dhe tërheq investitorë të rinj që më parë ishin të rezervuar,” shtoi Sullivan.

Të blera kryesisht si investim

Investimi mbetet arsyeja kryesore pse qytetarët evropianë përdorin kriptomonedhat. Në eurozonë, 64% e zotëruesve deklarojnë se i përdorin këto asete për investim, ndërsa vetëm 16% i përdorin për pagesa. Një tjetër 19% thonë se i përdorin për të dyja qëllimet.

Përqindja e përdorimit kryesisht për investim është më e larta në Holandë (90%) dhe Gjermani (82%), ndonëse këto dy vende kanë disa nga nivelet më të ulëta të pronësisë në eurozonë. Ndërkohë, përdorimi për pagesa është më i përhapur në Francë, ku arrin në 25%.

“Tregu i kriptomonedhave mbetet spekulativ”

Sullivan theksoi se diferenca e madhe mes përdorimit për investim dhe atij për pagesa tregon se tregu i kriptomonedhave mbetet kryesisht spekulativ.

“Edhe pse kriptomonedhat, veçanërisht stablecoin-et, ofrojnë përfitime reale për transaksionet, përdorimi i tyre si mjete të përditshme pagese mbetet i kufizuar dhe shumë pas metodave tradicionale si kartat bankare dhe paraja fizike,” tha ai.

Sipas tij, pavarësisht adoptimit në rritje nga institucionet financiare, shumica e konsumatorëve evropianë ende nuk i përdorin kriptomonedhat për transaksione të përditshme.

“Kalimi afateve të denominuara në euro dhe integrimin e tyre në infrastrukturat ekzistuese të pagesave një sfidë që mbetet në fokusin e Bankës Qendrore Evropiane,” përfundoi Sullivan.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar, edhe pse jashtë eurozonës, vazhdon të regjistrojë vëllime të larta transaksionesh kripto, duke u renditur e treta në botë në vitin 2024, pas Shteteve të Bashkuara dhe Indisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat