Tensionet në Lindjen e Mesme kanë hyrë në një fazë kritike, teksa Garda Revolucionare e Iranit ka konfirmuar nisjen e një vale të re sulmesh me raketa ndaj Izraelit. Komandanti i Forcave Tokësore, gjenerali Kiomars Heidari, deklaroi për agjencinë shtetërore iraniane IRNA se armët e përdorura këtë herë janë “më të fuqishme” dhe “teknologjikisht më të avancuara” se ato të përdorura më parë.
“Një valë e re sulmesh të ashpra nga forcat e armatosura, veçanërisht forcat tokësore të ushtrisë, me armë të reja dhe të përparuara, ka filluar dhe do të intensifikohet në orët në vijim,” deklaroi Heidari.
Kjo përshkallëzim vjen në një kohë kur përplasja mes Teheranit dhe Tel Avivit ka arritur kulmin, duke shkaktuar alarm global për një konflikt më të gjerë në rajon. Lajmi për përdorimin e raketave të reja dhe më të sofistikuara ka rritur ndjeshëm shqetësimet për eskalim të situatës drejt një lufte të hapur.
SHBA shton praninë ushtarake në rajon
Në përgjigje të përshkallëzimit, Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë masa të forta për të përforcuar prezencën ushtarake në Lindjen e Mesme. Dy aeroplanmbajtëse luftarake – USS Carl Vinson dhe USS Nimitz – janë vendosur në Detin Arabik, duke shërbyer si pika kyçe për mbështetjen e operacioneve ushtarake dhe interceptimin e sulmeve të mundshme.
Gjithashtu, në rajon janë pozicionuar tre shkatërrues të pajisur me sisteme për mbrojtje ajrore, ndërsa qindra cisterna logjistike janë shpërndarë në mënyrë strategjike në Evropë për të garantuar furnizim të vazhdueshëm me karburant në rast konflikti të zgjatur.
Frikë për një konflikt të gjerë
Zyrtarë amerikanë dhe diplomatë ndërkombëtarë po paralajmërojnë për pasoja serioze nëse situata del jashtë kontrollit. Një përplasje direkte ushtarake mes Iranit dhe Izraelit do të sillte pasoja jo vetëm për sigurinë e rajonit, por edhe për stabilitetin global.
Diplomacia ndërkombëtare po vijon përpjekjet për të frenuar përshkallëzimin, por në terren, shenjat flasin për një rrezik real të një konflikti të madh që mund të përfshijë edhe aktorë të tjerë rajonalë dhe globalë.