Ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi sot si një krim të vërtetë shtetëror shkatërrimet nga zjarret që goditën këtë vit Shqipërinë, duke djegur mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe dhe pyje.
Berisha përmendi dëmet në qindra banesa në Gramsh, Delvinë dhe zona të tjera, si dhe humbjen e mijëra bagëtive, kafshëve të egra dhe koshereve të bletëve. Ai vlerësoi se Shqipëria nuk kishte njohur kurrë zjarre me përmasa kaq shkatërruese dhe u shpreh solidarizim me viktimat, të plagosurit dhe fermerët që humbën gjithçka.
Sipas tij, përgjegjësia është shtetërore, për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, që lanë vendin të çarmatosur përballë zjarrëve. Ai kritikoi gjithashtu propagandën e qeverisë për “dhjetëra mijëra forca të angazhuara”, duke theksuar se në terren zjarrfikësit ishin të pakët.
Berisha theksoi se sistemi i zjarrfikësve, i trashëguar dhe i menaxhuar nga bashkitë socialiste, doli i papërgatitur dhe i dizfunksional, duke e bërë Shqipërinë më të prekshme ndaj zjarreve në krahasim me vendet e rajonit.