Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas një vendimi të Gjykatës së Apelit në Zvicër, e cila sipas tij ka refuzuar përdorimin e të dhënave të marra nga aplikacioni i enkriptuar i komunikimit SKY ECC në proceset penale.
Manjani thekson se drejtësia zvicerane e ka konsideruar këtë praktikë si përgjim masiv të paligjshëm, që shkel privatësinë e individëve dhe nuk mund të përdoret në gjykime. Ai shton se vendimi përputhet me standardet e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, duke e cilësuar atë një praktikë të rrezikshme nëse aplikohet ndaj qytetarëve që nuk janë nën hetim.
“Drejtësia zvicerane thotë prerë se përgjimi masiv është i paligjshëm dhe i papërdorshëm në një procedim penal ndaj një individi. Për më tepër, autenticiteti i të dhënave të mbledhura në këtë mënyrë është i paverifikueshëm, ndërsa gjykimi mbi to shkel të drejtën për proces të rregullt ligjor,” shkruan ai.
Në vijim, ish-ministri ka akuzuar sistemin shqiptar të drejtësisë dhe veçanërisht SPAK-un për injorimin e këtyre standardeve, duke theksuar se gjykatat në Shqipëri prej dy vitesh nuk kanë marrë parasysh praktikat që tashmë janë pranuar nga vende si Gjermania, Spanja, Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara.
“Po gjykata jonë Kushtetuese kur do të fillojë të mbrojë të drejtat e qytetarëve në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën Europiane? A vlejnë ligjet e kësaj Republike për shtetasit shqiptarë apo jo?”, pyet Manjani në reagimin e tij.