Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, gjatë një interviste të zhvilluar së fundmi ka reaguar në mënyrë të tërthortë për një video me përmbajtje raciste të postuar në rrjetet sociale nga presidenti aktual, Donald Trump. Obama u shpreh se turpi dhe etiketa që dikur i udhëhiqnin zyrtarët publikë duket se janë zbehur.
Podkasti 47-minutësh me Obamën, i moderuar nga Brian Tyler Cohen, u publikua të shtunën. Episodi nis me kërkesën e prezantuesit që ish-presidenti të komentojë mbi diskursin politik në SHBA, i cili sipas tij ka degraduar në një nivel mizorie të paprecedentë.
Gjatë bisedës, Cohen e pyeti Obamën edhe për pretendimet e Shtëpia e Bardhë se emigrantët e kapur nga ICE janë terroristë vendas. Ai përmendi gjithashtu se disa ditë më parë, Trump kishte postuar një imazh të Obamës të montuar në trupin e një majmuni në rrjetet sociale.
Obama u përgjigj duke theksuar se “është e rëndësishme të pranohet se shumica e popullit amerikan e konsideron këtë sjellje thellësisht shqetësuese. Është e vërtetë që tërheq vëmendjen. Është e vërtetë që është një shpërqendrim.”
Ai shtoi se ekziston një lloj “shfaqjeje kllounësh” që po zhvillohet në mediat sociale dhe në televizion, duke nënvizuar se mungesa e turpit dhe e etikës publike është bërë e dukshme.
“Dhe ajo që është e vërtetë është se nuk duket se ka ndonjë turp për këtë midis njerëzve që dikur mendonin se duhej të kishe një lloj etikete dhe një ndjenjë korrektese dhe respekti për detyrën. Kjo është humbur,” tha Obama, pa përmendur drejtpërdrejt emrin e Trump.
Gjatë intervistës, ish-presidenti foli edhe për çështje të tjera, duke përfshirë protestat paqësore kundër operacioneve të imigracionit, rindarjen e zonave zgjedhore dhe bibliotekën e tij presidenciale, e cila pritet të hapet në Chicago vitin e ardhshëm.



