Instituti i Shëndetit Publik ka rikthyer thirrjen për vaksinimin në kohë të fëmijëve kundër fruthit, duke theksuar se sëmundja mbetet e rrezikshme dhe mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore, veçanërisht tek të pavaksinuarit.
Sipas ISHP-së, në Shqipëri vijojnë të raportohen raste sporadike të fruthit. Edhe gjatë muajit janar janë identifikuar raste te fëmijë që nuk kishin kryer vaksinimin, çka rrit rrezikun e përhapjes së infeksionit dhe të komplikacioneve të rënda. Ekspertët paralajmërojnë se në mungesë të mbrojtjes përmes vaksinës, fruthi mund të rezultojë edhe fatal për të vegjlit.
Autoritetet shëndetësore kujtojnë se gjatë pandemisë së COVID-19 u vu re një rënie e mbulesës vaksinale në mbarë Evropën, përfshirë edhe Shqipërinë, situatë që u pasua me rritje të rasteve të sëmundjeve të parandalueshme me vaksinë.
Sipas raportit më të fundit të Organizata Botërore e Shëndetësisë, rastet e fruthit në Shqipëri gjatë vitit 2025 kanë rënë me rreth 60% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, specialistët theksojnë se për të siguruar mbrojtje kolektive dhe për të parandaluar shpërthime të reja, mbulesa vaksinale duhet të jetë mbi 95%.
ISHP u bën thirrje prindërve të respektojnë kalendarin kombëtar të vaksinimit, duke e konsideruar imunizimin si mënyrën më të sigurt për të mbrojtur fëmijët nga fruthi dhe ndërlikimet që ai mund të sjellë.



