Dekriminalizimi është i lidhur me standardet e integritetit dhe ka synim “mbrojtja dhe garantimi i mirëfunksionimit demokratik… çdo institucioni apo entiteti shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jo përfundimtar për kryerjen e krimeve”.
Më 23 korrik 2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Irena Gjoka, Erjon Çela dhe Rudina Palloj, me vendimin nr. 52, datë 23.07.2025 vendosi midis të tjerash, “deklarimin fajtor të të pandehurës Sonila QATO për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal (sipas parashikimit të nenit 258 të Kodit Penal në kohën e kryerjes së veprës penale), kryerjen e një pune në interes publik, pa shpërblim, për një kohë prej 60 (gjashtëdhjetë) orësh… me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës”.
Në fund të vendimit thuhet “në aplikim të nenit 35, paragrafi 2, të K.Penal, heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një periudhë prej 1 (një) viti”. Kjo periudhë nis në korrik 2025 dhe përfundon në korrik 2026.
Zonja Qato ka qenë ministre dhe aktualisht nuk ka detyrë publike në ekzekutiv. Megjithatë, aktet e brendshme rregullatore në PS, Kodi Etik, kapitulli “Integriteti dhe standardet në përzgjedhjen e kandidatëve” përcakton norma etike, morale dhe kufizime për zyrtarët e dënuar për shkelje të ligjit. Thelbi i dekriminalizimit ka qenë, politika e pastër, institucione të pastra, standarde integriteti.
Nga monitorimi i dekriminalizimit nga stafi i ISP-së rezulton se zonja Qato vijon të ketë pozita drejtuese në parti dhe drejton fushatën elektorale të saj. Foto ngjitur është në aktivitetin e saj më të fundit, në krah me zyrtarin e dytë drejtues në PS (Klosi) dhe deputeten e zonës 2 (Xhaçka). Ndonëse nuk është shkelje ligji sepse posti në parti nuk është funksion publik që paguhet me taksat qytetare, PS ka dhënë premtimin dhe ka detyrimin moral dhe etik që kufizimet për shkak të dekriminalizimit të aplikohen edhe në strukturat politike, – dhe në këtë kuptim, funksioni drejtues në parti perceptohet gjerësisht si funksion publik me rëndësi, sidomos kur partia është edhe mazhorancë/në qeveri.
Bazuar mbi praktikat e mira, parimet e dekriminalizimit dhe normat e Kodit Etik e aktet rregullatore brenda vetë PS-së, Instituti i Studimeve Politike (ISP) fton PS ta trajtojë rastin dhe të mbaj qëndrime që respektojnë konceptin e politikës së pastër/dekriminalizimit dhe integritetit. I njëjti standard duhet aplikuar nga çdo parti politike. Dekriminalizimi dhe integriteti janë parime thelbësore për demokracinë funksionale dhe shtetin e së drejtës. Asnjë individ i dënuar, në veçanti ata me vepër penale korruptive të Kodit Penal, nuk duhet të mbaj poste politike/publike, sidomos në periudha të kufizuara shprehimisht nga vendimi gjyqësor.