Italia mbetet partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, duke mbajtur peshën kryesore në të dyja drejtimet e shkëmbimeve ekonomike: eksport dhe import.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025, Shqipëria ka eksportuar në Itali mallra me vlerë 73.3 miliardë lekë, ndërkohë që ka importuar prej saj 77.5 miliardë lekë mallra. Një balancë thuajse e barabartë që e konfirmon Italinë si shtyllën kryesore të tregtisë së jashtme shqiptare.
Nga Italia, Shqipëria furnizohet kryesisht me ushqime, veshje, makineri dhe pajisje, ndërsa eksporton tekstile, këpucë, materiale ndërtimi dhe produkte të përpunuara. Marrëdhënia tregtare me Italinë vazhdon të mbështetet në modelet klasike të bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në sektorët fason dhe atë të ndërtimit.
Në një panoramë më të gjerë, eksportet shqiptare në total u rritën me 2.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 168 miliardë lekë. Rritja ka ardhur kryesisht nga eksportet e mineraleve, lëndëve djegëse, produkteve ushqimore dhe veshjeve – sektorë të ndjeshëm ndaj sezonit turistik.
Nga ana tjetër, importet shënuan një rënie prej 2.4%, duke zbritur në 355 miliardë lekë. Kjo ulje reflekton një ngadalësim të kërkesës për mallra të huaja, ndoshta si pasojë e çmimeve të larta, por edhe rritjes së prodhimit të brendshëm në disa kategori.
Megjithëse eksportet kanë shënuar rritje dhe importet rënie, bilanci tregtar mbetet negativ për Shqipërinë. Deficiti tregtar për 5 muajt e parë është 187 miliardë lekë, një tregues që vijon të theksojë varësinë e lartë të ekonomisë shqiptare nga importet, sidomos për mallrat e konsumit dhe teknologjinë.