Ish-Presidenti Ilir Meta ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me një masë më të butë, vetëm pak orë pasi Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi përfundimin e hetimeve ndaj tij dhe katër personave të tjerë.
Në një kërkesë drejtuar gjykatës, Meta argumenton se nuk ekziston më asnjë arsye për ta mbajtur në burg, duke theksuar se “nuk ka rrezik që të ndikojë në prova”, ndërkohë që hetimi ka përfunduar dhe çështja ka kaluar për gjykim në seancën paraprake.
“Çdo procedurë hetimore ka përfunduar. Çështja tashmë ka hyrë në fazën gjyqësore dhe nuk ka më rrezik për manipulim provash”, thuhet në kërkesën e depozituar nga avokatët e tij.
Meta i referohet nenit 228 të Kodit të Procedurës Penale për të argumentuar se nuk ekzistojnë më kriteret për të justifikuar një masë kaq të rëndë si arresti me burg. Avokatët pretendojnë se Meta nuk përbën rrezik për t’u larguar nga vendi dhe as për të kryer vepra të tjera penale.
Në dokumentin që gazetarja Anila Hoxha ka siguruar, avokatët e Metës e krahasojnë izolimin e tij me trajtimin që iu bë liderit opozitar rus Alexei Navalny në burgjet e regjimit të ashpër. Sipas tyre, Meta po mbahet në kushte izolimi të ngjashme, duke e përshkruar situatën si diskriminuese dhe politike.
“Përveç arrestit me burg, ai po mbahet në kushte izolimi total në ‘Jordan Misja’, pa të drejtë komunikimi me bashkëpunëtorë politikë, pa akses te telefoni i institucionit. Një situatë që i heq të gjitha të drejtat e tij politike si lider i një force opozitare”, thuhet në kërkesë.
Meta gjithashtu përmend vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në çështjen Gëllçi, duke kërkuar nga gjykata shqiptare të mbajë qëndrim të njëjtë për proporcionalitetin e masës së sigurisë.
Në kërkesën drejtuar gjykatës, Meta thekson se masa aktuale e shtrënguese nuk është vetëm juridikisht e pajustifikueshme, por edhe politikisht dëmtuese:
“Nuk më lejohet të takohem me anëtarët e kryesisë së partisë, me deputetët, me eurodeputetët. Jam i privuar nga ushtrimi i funksioneve politike si kryetar i Partisë së Lirisë”, shprehet ai.
Kërkesa për ndryshim mase do të shqyrtohet nga Gjykata më 8 gusht.