Deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian, Jorida Tabaku, ndodhet në Como të Italisë, ku po merr pjesë në një konferencë të nivelit të lartë të organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer (KAS), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të partive simotra të CDU, EPP dhe partnerëve të tjerë strategjikë të Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian.
Në qendër të diskutimeve ndodhet procesi i integrimit europian të Ballkanit Perëndimor, sfidat e reformave dhe rëndësia e ndërtimit të institucioneve funksionale dhe demokratike.
Tabaku: “Procesi i integrimit nuk mund të jetë fasadë politike”
Gjatë fjalës së saj, Tabaku theksoi se Shqipëria nuk mund ta ndërtojë të ardhmen e saj europiane mbi baza të dobëta dhe reforma të diktuara nga interesat politike afatshkurtra. Ajo kërkoi një proces të thellë reformash, të mbështetur në standarde, pavarësi institucionale dhe përfshirje reale të opozitës dhe shoqërisë civile.
“Shqipëria ka vetëm një rrugë: reforma të thella dhe të ndershme, me gjithëpërfshirjen e opozitës dhe aktorëve të shoqërisë civile. Çdo reformë në funksion të propagandës nuk i shërben qytetarëve dhe aspiratës europiane”, u shpreh Tabaku.
Takimi me Peter Beyer dhe mbështetja nga Bundestagu gjerman
Në kuadër të konferencës, Tabaku zhvilloi një takim me deputetin gjerman Peter Beyer, një prej zërave më të angazhuar në Bundestag për integrimin e Ballkanit Perëndimor. Të dy bashkëautorë të një editoriali të botuar së fundmi në “Frankfurter Rundschau”, kanë theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të ndershme, medias së lirë dhe sundimit të ligjit si kushte të panegociueshme për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Zë i besueshëm për partnerët ndërkombëtarë
Jorida Tabaku, një nga figurat më aktive të opozitës dhe me mbështetje të gjerë qytetare, vazhdon të konsolidojë profilin e saj si zë i besueshëm dhe serioz në arenën ndërkombëtare, duke ndërtuar ura besimi me partnerët europianë dhe duke përfaqësuar vizionin opozitar për një Shqipëri që ecën drejt BE-së jo përmes fasadave, por përmes standardeve demokratike.